I pret rrugën trailerit në aksin Elbasan-Peqin, humb jetën drejtuesi i Benz-it

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagsour në Elbasan mëngjesin e së martës, në një aksident automobilistik. Ndërkohë në Burrel 3 vajza janë plagosur pasi makina e tyre doli nga rruga dhe u përmbys.

Haxhi Bala, 64 vjeç, ka humbur jetën mëngjesin e të martës (28 shtator) në aksin Elbasan-Peqin.

64-vjeçari po udhëtonte me një makinë tip “Benz”, ndërsa i ka prerë rrugën mjetit tip trailer me drejtues shtetasin A.D, 49 vjeç, banues në Korçë.

Përplasja e fortë ndodhi rreth orës 7:30 të mëngjesit, ndërsa aksidenti ishte fatal për Balën, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Nga aksidenti mbeti i plagosur edhe drejtuesi i trailerit, 49 vjeçari A.D i cili u dërgua në sital për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë 3 vajza mbetën të plagosura në aksin rrugor Burrel-Skuraj, pasi makina me të cilën po udhëtonin u përmbys.

Siç mund të shihet dhe në pamjet e siguruara nga Ora News, mjeti i cili po udhëtonte drejt Tiranës është përplasur me anën e sipërme të rrugës, dhe është përmbysur.

Tre vajzat kanë marrë lëndime dhe u dërguan në spitalin e Burrelit për mjekim.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet që aksidenti të ketë ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit nga përgjumja e drejtueses së mjetit.

144 persona kanë humbur jetën në 8 muajt e këtij viti në 919 aksidente që janë shënuar në rrugët tona.