Në të njëjtat parametra me Amerikën, analisti Enver Bytyçi: Kosova zgjedhje të lira dhe të ndershme
Ditën e djeshme në Kosovë u zhvillua një proces votimi i qetë, pa asnjë incident në një mot të ftohtë dhe me masa të rrepta kundër pandemisë Covid-19. Nga nummrimi i deri tanishëm shihet qartë fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosja me 48.17 % të votave. Për të folur mbi këtë temë mëngjesin e sotëm në emisionin "Ditë e Re" ka qenë i ftuar analisti Enver Bytyçi ku tregoi se Kosova është në rajon një ndër vendet me kulturë politike më të zhvilluar.
Bytyçi shtoi se Kosova gjithmonë ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku sa i përket parametrave të procesit të numërimit gjatë bisedës në studio u krahasua me zgjedhjet në SHBA.
"Kultura politike në Kosovë është ndër më të mirat dhe të lartat në rajon sepse kultura politike fillon me vendimarrjen e sovranit për ndryshime, pra nis me votën e sovranit. Në zgjedhjet e viteve të fundit procesi ka shkuar mirë, vazhdimisht është treguar një përkushtim i jashtëzakonshëm i institucioneve të Kosovës për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe numërimi bëhet në një kohë rekord.
Është në të njëjtën parametra në të cilat numërimi bëhet në vendet më të zhvilluara demokratike në botë. Kjo do të thotë që demokracia funksionon në Kosovë më mirë se në vendet e tjera. Treguesi i funksionimit në Kosovë është dhe fakti që bëhen zgjedhje të parakohshme vazhdimisht, do të thotë që krizat politike në Kosovë nuk pritet të zgjidhen me konflikte por zgjidhet brenda sistemit"- thotë ai.
