Miratohet huaja prej 42 milionë eurosh për linjën energjetike Tiranë-Prishtinë

Miratohet huaja prej 42 milionë eurosh për linjën energjetike

Shqipëria do të marrë një hua prej 42 milionë eurosh për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë që lidh Tiranën me Prishtinën. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar në parim marrëveshje e huasë me bankën gjermane KfW Frankfurt am Main.

Marrëveshja është lidhur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe parashikon ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë. Vendimi i miratuar sot hyn në fuqi menjëherë.

Shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve, nga 30 qershor 2016-30 dhjetor 2024.

Projekti ka vite që përflitet, ndërsa ka nisur të vihet në jetë me ardhjen e socialistëve në pushtet.

Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar marrëveshjen më 14 shkurt të vitit 2014, me shumicë votash, teksa ishte miratuar nga qeveria shqiptare më 22 të po atij viti. Vonesat e shumta kanë qenë më shumë procedurale.

Procedurat e prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit kanë përfunduar në dhjetor 2013, ndërsa marrëveshja e parë u miratua më datë 11 mars 2010.

Linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë është me rëndësi strategjike, pasi Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat, i mundëson qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjetike plus atyre të Kosovës.

Por vlera shkon përtej Shqipërisë dhe Kosovës, pasi realizimi i projektit i shërben rajonit dhe më gjerë. Ndërtimi i linjës 400 Kv Tiranë-Prishtinë përmirëson sigurinë me kosto efikase të furnizimit me energji elektrike në Shqipëri dhe përmbush kushtet për një treg të integruar të energjisë në Evropën Juglindore.

/Ora News/

EMISIONET