Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të vizitojë nesër Tiranën, ku do të takohet me krerë të shtetit dhe politikës.

Ora News zbardh axhendën e takimeve të cilat nisin në orën 11:00 fillimisht me ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

Diskutimet sipas Ministrisë së Jashtme greke do të përqendrohen në çështje me interes dypalësh, evropian dhe rajonal me theks në rrjedhën e marrëdhënieve greko-shqiptare, zhvillimet në rajonin e Mesdheut Lindor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Më pas Ministri i Jashtëm do të pritet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i vendit, Ilir Meta.Në përfundim të takimit me Ramën do të kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës së tij, ai do të zhvillojë gjithashtu bisedime me kryetarët e Partisë Demokratike dhe Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Lulzim Basha dhe Vangjel Dule, si dhe me biznesmenë grekë që operojnë në Shqipëri.

Një nga temat kryesore të bisedimeve do të jetë dhe çështja e detit me Shqipërinë.Kryediplomati helen shpreson te rinisja e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë rreth kësaj marrëveshje, ndërsa theksonte se zgjidhja e problemeve të vjetra është edhe në interesin e Shqipërisë duke pasur parasysh perspektivën evropiane.

Në fund të vizitës së tij, Ministri i Jashtëm do të takohet me Lumturinë e Tij Kryepeshkopin Anastasios të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.