Milaim Zeka: Klasa politike mafioze në Tiranë dhe në Kosovë u tall me hetimet e Carla Del Ponte, halli i tyre ishte luksi personal
I ftuar në studion e Ora News, analisti i njohur Milaim Zeka i bëri një analizë të thellë kësaj situate kur Gjykata Speciale ka ngritur akuza për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimin.
Ai kritikoi ashpër faktin që autoritetet e Tiranës por dhe të Prishtinës nuk bënë asgjë për të demantuar akuzat e tmerrshme dhe të turpshme të ish kryeprokurores së Hagës Carla Del Ponte dhe më pas Dick Marty për Shtëpinë e Verdhë.
Milaim Zeka për Ora News: “Autoritetet shqiptare në Tiranë por edhe ato në Prishtinë që nga momenti kur është shpikur kjo përrallë e tmerrshme nga ana e Carla del Pontes dhe e vazhuar nga senatori i PE-së, Dick Marty nuk kanë bërë as lëvizjen minimale për të demantuar një akuzë kaq të tmershme dhe të turpshme dhe të padëgjuar në historinë europiane, se gjoja ushtarët e UÇK-së kanë transportuar serbë nga Kosova dhe më pas i kanë vendosur në Shtëpinë e Verdhë diku në Burrel dhe ua kanë nxjerrë organet trupore dhe i kanë shitur në vendet e ndryshme europiane.
Kjo klasë politike mafioze në Tiranë dhe në Kosovë e cila hallin e vet 30 vjeçar e kanë pasur tek luksi personal nuk kanë demantuar dhe janë tallur me hetimet e Carla del Pontes dhe më pas Dick Martit.”
Në vijim të qëndrimit të tij Milaim Zeka tha se akuzat u rrëzuan nga mjekë suedezë apo amerikanë ndërsa autoritetet në Shqipëri dhe Prishtinë u tallën dhe tani jemi ku jemi.
Milaim Zeka për Ora News:“Në Shqipëri nuk është ngritur akoma një pyetje: A kanë pasur të drejtë autoritet shqiptare dhe kush lejoi që të bëheshin hetime në territorin e Republikës së Shqipërisë kur dihej se Carla del Ponte dhe Tribunali i Hagës kishin autoritet që të kryenin hetimet vetëm në hapësirën e ish Jugosllavisë.
Autoritet e asaj kohe por edhe autoritetet e tanishme, që Edi Rama, sa i takon Kosovës është një superfolklorik dhe “superhero” i cili di të flasë dhe mbështesë tani dhe Hashim Thaçi që ndodhet në Hagë por që në prakitikë nuk ka bërë asgjë për të demantuar akuzat e paqenë.
Mjekë të njohur suedezë dhe finlandezë deri mjekë të njohur amerikanë kanë demantuar këtë çmenduri të raportit të Dick Martit dhe kanë thënë se nuk ka shanse teorike të ekzistojë mundësia e nxjerrjes së organeve në një shtëpi primitive pa asnjë kusht higjienik, ndërsa autoritet në Shqipëri dhe Prishtinë nga tallja kanë përfunduar këtu ku kemi përfunduar.”
Intervista per gazetaren Matilda Mcini
