Meta pret një delegacion të Komitetit Hebraik Amerikan, flasin për terrorizmin dhe vlerat e tolerancës në Shqipëri

Meta pret një delegacion të Komitetit Hebraik Amerikan, flasin

Një delegacioni i Komitetit Hebraik Amerikan (AJC) kryesuar prej Shefit Ekzekutiv z. David Harris, ndodhet për një vizitë në Tiranë, ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Gjatë bisedës, kryeparlamentari shprehu mirënjohjen për interesin që AJC tregon ndaj Shqipërisë duke e përfshirë vendin tonë në axhendën e aktivitetit global të Komitetit Hebraik Amerikan. Edhe gjatë këtij takimi, u përmend fakti i kontributit të shqiptarëve gjatë  Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur hebrenjtë.

Nga ana e tij, Harris nënvizoi se Komuniteti Hebraik Amerikan, si organizatë përfaqësuese e një kombi me kujtesë të qartë historike, ndjehet thellësisht mirënjohës për atë që shqiptarët dhanë ndaj hebrenjve në të kaluarën.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit globale dhe sfidat e terrorizmit dhe sigurisë me të cilat përballet njerëzimi sot, Harris vuri në dukje se miqësia që Shqipëria ka me Izraelin, partneriteti që gëzon me SHBA dhe vlerat e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që reflekton shoqëria shqiptare, përfaqësojnë një shembull suksesi për vendet e tjera në betejën për mbrojtjen e vlerave demokratike e shoqërore që na bashkojnë.

Në përfundim, duke iu përgjigjur interesit të përfaqësuesve të AJC mbi klimën e biznesit në Shqipëri,  Meta theksoi se kryefjala e angazhimit politik sot mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë si një element kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit në potencialet investuese të Shqipërisë në botë.

/Ora News/

 

EMISIONET