Meta letër mesazh homologut Jakup Krasniqi: Respekt dhe mirënjohje Martirëve të Lirisë

Meta letër mesazh homologut Jakup Krasniqi: Respekt dhe mirënjohje

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me rastin e gjashtë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i ka dërguar një letër urimi, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në letrën e tij, kryeparlamentari Meta ka përcjellë urimet e tij për gjithë qytetarët e Kosovës, për Përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë Ditë të shënuar Ju dhe të gjithë ne shqiptarët, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë Martirët e Lirisë dhe gjithë ata puntorë të mendjes dhe të armës që mundësuan Shpalljen e Pavarësisë.

Kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, luftëtarin Adem Jashari, epopenë e heronjve të UÇK-së dhe gjithë ato vuajtje dhe sakrifica sublime të të gjithë qytetarëve të Kosovës në rrugëtimin e mundimshëm drejt Lirisë dhe Pavarësisë”, shkruan Meta në urimin e tij.

Kryetari i kuvendit të Shqipërisë ka shprehur gjithashtu një mirënjohje të veçantë për aktorët e mëdhenj të skenës politike botërore, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pa të cilët, projekti evropian i Kosovës të lirë dhe evropiane nuk do të ishte i mundur.

“Kosova ishte djepi i dhembjes së madhe, ishte vendi që u përball me krimet më të egra të pas Luftës së Dytë Botërore, por kjo është një arsye më shumë, që ajo sot dhe nesër të jetë një shtet evropian, ku shenjtërimi i të drejtave njerëzore, demokracia, sundimi i ligjit dhe bashkëjetesa mes etnive të ndryshme, të jenë në shkallën më të lartë.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të jenë intesive, në interes reciprok dhe të paqes dhe sigurisë së të gjithë rajonit.

Tirana dhe Prishtina, por dhe gjithë rajoni ynë, janë përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për rrugën evropiane, të bindura se ajo është e nesërmja e tyre.

Gëzuar, zoti Kryetar këtë Ditë të Bekuar, gëzuar Pavarësinë e Republikës së Kosovës!”, përfundon mesazhi i urimit të kryeparlamentarit Ilir Meta.

EMISIONET