Meta, biznesit francez: Kompanitë franceze kanë një potencial të jashtëzakonshëm

Meta, biznesit francez: Kompanitë franceze kanë një potencial

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se investitorët francezë janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe kontribuues për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tonë dhe të ekonomisë shqiptare. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, ku z. Meta ishte i ftuar nderi, Kryetari i Kuvendit ka vlerësuar si shumë të dobishme takimet me përfaqësuesit e lartë të biznesit gjatë vizitës së tij të fundit në Francë.

“Duke falënderuar mikun tim z. Julien Roche, që jo vetëm më dha fjalën, por edhe për ftesën në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, do të shprehja kënaqësinë time më të madhe për të qenë sot këtu me ju”, tha Meta.

“Është një mundësi shumë e mirë për të shprehur edhe një herë tjetër mbështetjen gjithnjë e më të madhe që investitorët francezë do të kenë në vendin tonë si një faktor shumë i rëndësishëm dhe kontribuues për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tonë dhe të ekonomisë sonë”, u shpreh ai.

“Ishte një kënaqësi e veçantë për mua gjatë vizitave të fundit në Francë si Kryetar i Kuvendit për t’u takuar edhe me përfaqësuesit më të lartë të Lëvizjes së Sipërmarrësve Francezë MEDEF International, me të cilët biseduam dhe shkëmbyem mendime për perspektivat e investimeve franceze në vendin tonë. Një javë më parë kam pasur kënaqësinë të jem edhe në Marsejë, kam pasur takime të dobishme dhe besoj shumë me perspektivë edhe për bashkëpunimin tonë në fushën ekonomike, me presidentin e Rajonit PACA (Provence-Alpes-Côte d'Azur), z. Michel Vauzelle dhe me përfaqësues të tjerë”, vijoi z. Meta.

Kryetar i Kuvendit theksoi se synimi i qeverisë është ta kthejë ekonominë tonë në ekonomi prodhuese dhe eksportuese ku kompanitë franceze kanë një potencial të jashtëzakonshëm të ofrojnë “know-how”, me ekspertizën e tyre dhe aksesin e nevojshëm ndaj kapitalit. Për këtë arsye qeveria e re është e angazhuar në një ndërmarrje serioze masash dhe reformash për rivitalizimin e ekonomisë dhe rifuqizimin e aktivitetit ekonomik në vend.

“Ne synojmë ta kthejmë ekonominë tonë në ekonomi prodhuese dhe eksportuese ku kompanitë franceze kanë një potencial të jashtëzakonshëm të ofrojnë “know-how”, me ekspertizën e tyre dhe aksesin e nevojshëm ndaj kapitalit. Ndaj edhe qeveria e re është e angazhuar në një ndërmarrje serioze masash dhe reformash për rivitalizimin e ekonomisë dhe rifuqizimin e aktivitetit ekonomik në vend. Ndaj edhe shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit brenda këtij viti është në krye të prioriteteve të qeverisë së re, për të ndërtuar një marrëdhënie të re, ku biznesi i jepet vendi i merituar i motorit të zhvillimit ekonomik”, shtoi Meta.

Ndër të tjera në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit tha se situata ekonomike në Shqipëri nuk është e mrekullueshme dhe se sfidat janë shumë të mëdha, duke ditur që disa nga partnerët tanë kryesor po kalojnë një situatë mjaft të vështirë prej disa vitesh.

“Situata ekonomike në Shqipëri natyrisht nuk është e mrekullueshme, sfidat janë shumë të mëdha, sepse dihet që disa nga partnerët tanë kryesor, sidomos Greqia dhe Italia, po kalojnë një situatë mjaft të vështirë prej disa vitesh, ashtu sikurse edhe ambienti për zhvillimin e biznesit në vend ka nevojë të përmirësohet akoma më shumë”, u shpreh z. Meta.

“Unë dua të shpreh bindjen time se ne të gjithë së bashku do të reflektojmë qëndrueshmëri dhe rritje të pandërprerë ekonomike duke krijuar dhe kushte më të mira për suksesin e aktiviteteve tuaja. Këtë synon dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, për të stabilizuar ekonominë e vendit dhe për të krijuar një klimë të favorshme për frymëmarrjen e biznesit dhe për thithjen e investimeve të reja, nënvizoi ai. Pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje qeveria është e angazhuar për të miratuar së afërmi një paketë nxitëse për përmirësimin në mënyrë drastike të klimës së biznesit për të gjithë sektorët e ekonomisë, veçanërisht sektorin e prodhimit, duke përfshirë edhe reduktimin e procedurave burokratike dhe barrën e taksave administrative”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.

Ndërkaq, z. Meta vlerësoi rolin që Franca dhe kompanitë e saj kanë për ekonominë shqiptare, teksa vihet re se vendi ynë po përfiton investime serioze të kompanive të njohura franceze sidomos në disa sektorë të ekonomisë.

“Franca dhe kompanitë e saj përbëjnë një partner me peshë shumë të madhe për Shqipërinë në këtë drejtim. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin ekonomik me Francën dhe vëmë re me shumë kënaqësi se vendi ynë po përfiton investime serioze të kompanive të njohura franceze sidomos në infrastrukturë, energji, financë, në fushën minerare dhe në agro-përpunim”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

“Vullneti ynë është ta rrisim nivelin e volumeve të shkëmbimeve tregtare, të bashkëpunimit ekonomik, sepse kemi akoma më shumë për të mësuar dhe për të përfituar nga Franca. Ndaj dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë edhe dhomën tuaj, e cila jep një kontribut të vyer edhe në këtë drejtim dhe dua t’iu siguroj për mbështetjen tonë të pakursyer në aktivitetin tuaj në të ardhmen. Konsultat, kontaktet, shkëmbimet e mendimeve dhe të ideve që do të realizojmë me ju do të na ndihmojnë vazhdimisht për të përmirësuar klimën e biznesit në vend”, tha Meta.

Në fund, Kryetari i Kuvendit vuri në pah faktin se Shqipëria është një vend frankofon dhe gëzon një vlerë të shtuar që përfaqëson një urë solide bashkëpunimi me Francën, duke garantuar një terren të favorshëm për thithjen e investimeve të reja. Z. Meta ka falënderuar investitorët francezë që kanë zgjedhur për të investuar në Shqipëri.

“Shqipëria është një vend frankofon, dhe si i tillë besoj se gëzojmë një vlerë të shtuar që përfaqëson një urë solide bashkëpunimi me Francën, gjë që garanton dhe kurorëzon një terren të favorshëm për thithjen e investimeve të reja. Në fund fare faleminderit që keni zgjedhur për të investuar në Shqipëri dhe besoj se shembulli juaj do të ndiqet edhe nga shumë investitorë të tjerë”, nënvizoi Meta.

“Isha shumë komod në takimin me drejtuesit e MEDEF-it, kur një prej kolegëve tuaj z. Julien Roche, jepte vërtetë një shembull të shkëlqyer të promovimit të imazhit pozitiv te vendit tonë në Francë midis investitorëve francezë. Jam i bindur se këtë e bëni të gjithë në çdo ambient ku flitet për Shqipërinë, pra që këtu ne na në vini në pah ato vështirësi që ju ndeshni çdo ditë këtu dhe jashtë tregoni mundësitë dhe avantazhet që Shqipëria ka për investitorët e huaj. Edhe një herë faleminderit për atë që ju bëni në vendin tonë”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

EMISIONET