Medellin, Festival lulesh në qytetin kolumbian ku dikur kultivohej drogë
Burra, gra, të rinj, pleq dhe artizanët e luleve morën pjesë në festivalin e luleve shumëngjyrëshe në qytetin Kolumbian, Medelin.Duke festuar artin e luleve, të afeksionuarit pas tyre u shfaqën me buqeta të ndryshme lulesh.
Pjesëmarrësit e moshuar mbanin versione më të vogla të buqetave në shpinë, ndërsa të rinjtë mbanin buqeta të mëdha të rregulluara deri në detaj.
Mauricio Londono, një prej pjesëmarrësve të këtij viti, shpjegoi me krenari kuptimin e buqetës së tij të madhe.
"Shkrimi mbi buqetën time është për të mësuar fëmijët tuaj të duan bimët, kafshët dhe jetën. Ky është një mesazh i vërtetë, një kërkesë për të gjithë prindërit të cilët duhet të marrin në konsideratë se fëmijët e tyre nuk mësojnë vetëm në shkollë, mësimet e para ata duhet ti marrin në shtëpi, "tha ai.
Parada vjetore e luleve daton në 1957 kur një banor i Medellin ftoi luledashësit nga fshatrat e afërta për të marshuar në qytet për të treguar buqetat e tyre shumëngjyrëshe.
Më shumë se pesëdhjetë vjet më vonë, parada e luleve ka evoluar për t'u bërë një ngjarje e çmuar në kalendarin kulturor të Kolumbisë ku luledashësit shpresojnë të fitojnë konkursin.
"Unë jam brezi i tretë që marr pjesë në këtë paradë. E kam trashëguar këtë traditë nga gjyshërit e mi, pastaj nga xhaxhai dhe tani unë," tha John Jairo Martinez, fitues i çmimit të parë të këtij viti.
Shumë nga pjesëmarrësit e paradës, të rinj dhe pleq, udhëtuan deri në Medellin nga zonat malore të Santa Elena, ku familjet i janë përkushtuar prodhimit të luleve për brezat e ardhshëm dhe i konsiderojnë ato si një burim krenarie.
Pjesëmarrja e madhe e nga këto zona ndihmon për të pastruar imazhin e vjetër të Medellin si qyteti i drogës, i cili njihet ndryshe si "qyteti i pranverës së përjetshme të Kolumbisë".
Parada mbahet pas Panairit vjetor të luleve në Medellin, i cili mbush parqet, rrugët dhe kopshtet e qytetit çdo gusht për 10 ditë.
