Kuvendi mbyll punimet me 25 maj, Topalli: Votoni tre ligjet. Foto me mazhorancën

Kuvendi mbyll punimet me 25 maj, Topalli: Votoni tre ligjet. Foto me

Mund të konsiderohet seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar, megjithëse do të mbyllet me 25 maj. Të paktën kështu u votua me votat e mazhoranCës mbyllja e sesionit parlamentar. U duk si një seancë përmbyllëse për faktin se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ftuar deputetë e parlamentit që të bashkoheshin në një foto përmbyllëse, pjesë e së cilës u bënë vetëm deputetë të mazhorancës.

E në kushtet që debati parlamentar ka qenë disi më i zbutur mes palëve, Kryeparlamentarja ka ftuar opozitën që të shfrytëzojë shansin që të votojë tre ligjet e integrimit. Për këtë kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, tha se nuk është mungesa e vullnetit të opozitës që nuk votohen ligjet, por e mazhorancës parlamentare.

"Ju ftoj dhe njëherë siç ju kam ftuar çdo seancë. Në rendin e ditës vazhdojnë të jenë tre ligjet e integrimit. Ti votojmë sot që mbase është një ndër seancat e fundit të kësaj legjislature. Do ishte mirë. Nuk mund të besoj se socialistë dhe demokratë nuk bashkohen në procesin e integrimit", tha Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit.

"Është shumë e thjeshtë zonja kryetare, po nuk keni ju kohë. Ligji i parë, rregullorja e Parlamentit, një amendament. Abrogohen të gjitha nenet e rregullores që janë ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca aktuale. Dy, po s'keni kohë, të zbatohen vendimet e pazbatuara të gjithë niveleve të gjykatave në Shqipëri në këto katër vjet. Të zbatohet. Tre, statusin e nëpunësit civil. S'keni më kohë. Pastroni administratën publike nga të gjithë të korruptuarit dhe militantët partiakë. Është e thjeshtë fare. Pra, mos e kërkoni topin në fushën tonë, e keni në fushën tuaj. Kishit mundësitë ti bënit, ua kemi dhënë këtë shans, nuk e bëtë", tha Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS.

"Në të gjitha seancat ju keni pasur një kërkesë, Fierin. E zgjidhët Fierin, apo sot ka sebepe të tjera? Që të jemi serioz me njëri-tjetrin. E pra, mos ndryshoni çdo seancë sebepet", u përgjigj Topalli.

E ndërkaq të gjithë deputetët në sallën e parlamentit kanë mbajtur një minutë heshtje 4 vjet pas vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Një vrasje kjo, ende e pazbardhur ku si zonja Topalli ashtu edhe zoti Ruçi u shprehën se lufta kundër krimit i bashkon palët politike, për këtë kjo ngjarje duhet zbardhur.

“Pikërisht sot në datën dy, para katër vitesh është vrarë një kolegu jonë dhe katër vite në pushtet nuk zbuluat asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili sot nuk është në sallë, ka shkuar atje të vendosë lule në varrin e të atit”- u shpreh Ruçi.

“Shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë të bëjë detyrën. Edhe njëherë i bëjmë ngushëllime familjes, ai ishte koleg i joni”tha Topalli.

EMISIONET