MB, kallëzim penal Burgajt dhe 9 ish-zyrtarëve, Tahiri: Ka nisur auditi në Ministrinë e Brendshme
Ministria e Brendshme padit në Prokurorinë e Tiranës ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Burime nga Ministria bëjnë me dije se sëbashku me Burgajn janë paditur edhe 9 ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit. Ish zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera publike.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një konferencë për mediat në orën 18:00, ka pranuar se ka zhvillime në Policinë e Shtetit, por nuk preferoi të jepte emra, pasi ende nuk është moment i duhur.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka filluar proçesin e auditit të përgjithshëm, ashtu si ka filluar dhe luftën kundër korrupsionit në rradhët e Policisë së Shtetit.
Ka zhvilime të cilat nuk mund ti komunikoj tani, por në të gjithë proçesin e transparencës nuk kemi ndër mend të kursejmë askënd që ka përgjegjësi. Kjo nuk ka lidhje me emrat, as me detyrat e ish-funksionarëve por me të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi. Ajo që është më e rëndësishme është lajmi për 93% të punonjësve të Policisë së Shtetit që janë punonjës që kanë sakrifikuar për të rruajtur rendin dhe qetësinë publike. Qeveria dhe Kryeministri Rama e mbajtën premtimin për të rritur rrogat në polici në mënyrë drastike. Ky lajm vlen më shumë se transparanca për disa njerëz që në qoftë se e meritojnë do të shkojnë përpara drejtësisë”, u shpreh Ministri Tahiri duke iu referuar padisë ndaj ish kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe 9 ish zyrtarëve të tjerë.
Në deklaratën e tij, Ministri i Brendshëm, pasi bëri një përmbledhje të gjendjes “së mjerueshme’, siç e quajti ai, që ka lënë qeveria e mëparshme Policinë e Shtetit, u fokusua kryesisht tek rritja e pagave për 93% të punonjësve të policisë.
“Qeveria miratoi dje dhe dërgoi në parlament buxhetin e shtetit. Buxheti për policinë dhe Ministrinë e Brendshme është buxheti më i madhi në historinë e vetë.
Qeveria e shkuar u ka lënë shqiptarëve për trashëgimni një institucion të rrënuar nga pikëpamja financiare, infrasrukturore dhe buxhetore, një institucion të dërrmuar nga pikëpamja e kapacitetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë shtetasit dhe kapacitetin për të shembur murin e imunitarëve dhe të paprekshmëve, murin e pandëshkueshmërisë.
Kemi trashëguar oficerë policie të cilët nuk guxonin as ti shihnin me sy ata që fshiheshin pas çdo lloj imuniteti, dhe jo më ti ndalonin dhe të ushtronin detyrën e të përmbushnin misionin e Policisë së Shtetit. Kemi trashëguar në Policinë e Shtetit një institucion me oficerë policie që më përpara bënin llogaritë me kurajon e frikës dhe dilnin të humbur, se tradhëtoheshin edhe nga shefat e tyre. Trashëguam raskapitjen morale të punonjësve të shtetit. Trashëguam mentalitetin se siguria publike vjen falas ose pa kosto se përfitimet shkonin në xhepat e pushtetarëve. Sot policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme hedh një hap themelor dhe solid për ndërtimin e modelit europian të policisë së shtetit.
Gjatë periudhës 2010 deri në shtator 2013 janë transferuar nga detyra në detyrë në Policinë e Shtetit 8866 punonjës ose 90% e efektivit të shtetit, duke cënuar qëndrueshmërinë në detyrë, kapacitetin për të përmbushur detyrën dhe sigurinë publike për qytetarët shqiptarë. Ky operacion, Policisë së Shtetit së bashku me përjashtimet i ka kushtuar me pagesa në 1.6 herë. Nga njëra anë është cënuar siguria pulbike me transferime të pabaza dhe nga ana tjetër ka pasur kosto financiare, 2.9 milionë dollarë vetëm për familjet e efektivevë të transferuar
Punonjësit e Policisë së Shtetit marrin pagën më të ulët sesa punonjësit e policisë në vendet fqinje për mos folur për vendet e BE sepse jemi shumë larg. Rreth 70% e punonjësve të policisë kanë të ardhura për frymë nën pagën minimale të vendit. Mund t’ju them se qeveria dhe kryeministri Rama dje kanë miratuar paketën më të plotë të mbështetjes financiare dhe buxhetore për Policinë e Shtetit në të gjithë historine e policisë së shtetit dhe ministrisë së brendshme.
Dje është miratuar rritja e pagës për 93% të punonjësve të policisë së shtetit. Rritja e pagës konsiston në përfitimin nga taksa progresive me 5% dhe rritjen buxhetore nga 15-20% pra rritje e pagës në masën 20 deri 25%. E shoqërua kjo me një vendim që presim të merret në ditët në vijim lidhur me sigurimin e jetës dhe sigurimin shëndetësor të efektivëve të policisë. Në pemën strukturore të rritjes së pagave që me buxhetin vitit të parë kemi përmbushur më shumë se 60% të premtimit të qeverisë. Po rikthejmë nderin e punonjësve të policisë së shtetit në vend.”- tha Tahiri, duke theksuar se ky është një investim që bëhet për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe të sipërmarrësve.
