“Maska” mbahet pjesërisht pas uljes së numrit të të prekurve nga COVID-19, kontrolle të pakta dhe nga policia
Në dy javët e fundit numri i personave të infektuar nga koronavirusi ka pësuar ulje, por dhe qytetarët po tregohen më pak të kujdesshëm në mbajtjen e maskës. Njëkohësisht me neglizhencën e qytetarëve, edhe policia ka ulur ndjeshëm kontrollet për mbajtjen e barrierës mbrojtëse. Prej 15 tetorit policia ka ndëshkuar më shumë se 40 mijë qytetarë që nuk respektuan udhëzimin për mbaskën.
Në dy javët e fundit Ministria e Shëndetësisë ka raportuar një numër më të ulët se më parë të personave të prekur nga COVID-19, ndaj qytetarët kanë ulur kujdesin për mbajtjen e maskës, pavarësisht ndëshkimit të policisë.
Nga një vëzhgim në kryeqytet i Rtv Ora vërehet se rreth gjysma e qytetarëve e neglizhojnë vendosjen e barrierës mbrojtëse.
Ka dhe nga ata qytetarë që sa vërejnë kamerat apo policinë e vendosin menjëherë.
Pavarësisht uljes së numrit të infektuarve, qytetarët shprehen se duhet të vijojë të mbahet.
"Nuk duhet te hiqet, për mua duhet mbajtur prapë sepse është shumë problematik në gjithë botën."
"Më mirë të ruhesh sesa..."
"Ne se dimë, çfarë të na thonë bëjmë."
Njëkohësisht me neglizhencën e qytetarëve në mbajtjen e maskës, edhe policia ka ulur kontrollet ndaj qytetarëve.
Në dy javët e fundit dhe policia ka raportuar një numër më të ulët të numrit të personave të ndëshkuar, ndërsa prej 15 tetorit kur mbajtja e maskës u bë e detyrueshme janë gjobitur më shumë se 40 mijë persona me nga 3 mijë lekë.
