Qarkullimi do të ndalohet në orën 20:00 që prej ditës së enjte. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi gjithashtu që të mos lejojë as baret dhe restorantet të punojnë pas këtij orari. Për të minimizuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit, edhe gjimnazet në disa qytete do e zhvillojnë mësimin online.  Situatë problematike paraqitet në spitale ku ka edhe mosha të reja në gjendje të rëndë.

Prej ditës së enjte, (11 shkurt 2021) qarkullimi do të ndalohet nga ora 20:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.  Masa e re do të zgjasë për 14 ditë.

Në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve ku e pranishme ishte dhe Ministrja e Shëndetësisë, u deklarua se javët në vijim do të mbahen në vëzhgim.

Nga masa e re përjashtohen lëvizjet për arsye pune ose për emergjenca mjekësore.

I njëjti orar vlen edhe për baret dhe restorantet, ndërsa përjashtohen nga ky rregull shërbimi delivery.

Në kuadër të këtyre masave,  Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që edhe gjimnazet të zhvillojnë mësimin online, vendim i cili do të aplikohet të disa qytete të vendit deri në datën 26 shkurt.

Një vendim kishin edhe për sezonin e provimeve në universitete.

MASAT

  1. Ndalimi i qarkullimi nga ora 20:00 deri në 06:00 për 14 ditë, duke filluar nga nesër deri më 25 shkurt.
  2. Ndalimi i aktivitetet të të bareve dhe restoranteve nga ora 20:00 deri në 06:00
  3. Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë, Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër dhe Kazmës do aplikojnë skenarin online
  4. Sezoni i provimeve për universitetit rekomandohet të zgjatet, kombinim online  dhe në monitor i provimeve

Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë ditëve të fundit ka patur një shtim të misioneve të urgjencës kombëtare dhe kjo situatë ka sjellë shtim të të shtuarve në spitale dhe shtimin e pacientëve në terapi intensive.

“Jemi në një kohë kur kemi shtim të infektimeve, kemi ulje të moshës të të prekurve dhe si pasojë e relaksimit pas festave të fundvitit dhe periudhës më pas. Kjo ka sjellë për pasojë një shtim të misioneve të Urgjencës sonë Kombëtare, të misioneve në banesë, të transferimit në spitale dhe sigurisht kjo situatë në ditët e fundit ka sjellë shtim të rasteve në spitale dhe shtim të pacientëve në terapi intensive”, u shpreh Manastirliu gjatë fjalës së saj.

Shefja e Infektivit, Najada Çomo, foli për situatën në spital për të cilën pranoi se ka shtim të fluksit të pacientëve por gjendja është e menaxhueshme.

Mes pacientëve në spitale ka edhe mosha të reja në gjendje të rëndë pa sëmundje shoqëruese.

Lexo dhe: Drejtoresha e Infektivit: Rritje e rasteve të rënda te të rinjtë, popullata duhet të na ndihmojë.

Sa i përket varianteve të reja të koronavirusit, në vendi tonë dyshohet  janë ai Afrikës së Jugut dhe britaniku.

Por përveç masave anti-Covid, Ministria e Shëndetësisë kërkon prej qytetarëve të zbatojnë rregullat ose në të kundërt nuk do të ketë tolerime.

Lexo dhe: Shtohen gjobat
Policia informoi sot se ka ndëshkuar me masë administrative 1435 shtetas që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 1239 raste të reja infektimi dhe 16 viktima.

Ndërsa nga nisja e pandemisë vendi ynë numëron 87528 të infektuar dhe 1488 të vdekur.