Tingujt shqiptarë në filmin e Christopher Nolan/ Vendim Kapaj pjesë e “Odyssey” me fyell dhe culë dyjare

Mjeshtri i fyellit, Vendim Kapaj, ka bërë të ditur se interpretimet e tij me instrumente tradicionale shqiptare do të jenë pjesë e filmit të shumëpritur “Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan dhe muzikë nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson.
Kapaj ka treguar se më 1 korrik 2025 ka punuar për disa orë me ekipin muzikor të Göransson, duke regjistruar tinguj të fyellit, culës dyjare dhe elemente të këngës labe për kolonën zanore të filmit.
“Jam shumë i lumtur që nëpërmjet tingujve të melodive të mia me fyell dhe culë dyjare bëhem pjesë e filmit ‘Odyssey’”, ka shkruar Kapaj, duke e cilësuar këtë përvojë si një moment të veçantë në karrierën e tij.
Sipas tij, puna me ekipin e kompozitorit amerikan zgjati rreth pesë orë, gjatë së cilës u regjistruan interpretime me instrumente popullore shqiptare dhe këngë tradicionale të jugut të Shqipërisë.
Pjesëmarrja e Kapajt në këtë projekt ka nxitur diskutime edhe në rrjetet sociale, ku disa komentues kanë ngritur pyetje rreth instrumenteve të përdorura në muzikën e filmit. Kapaj ka reaguar duke sqaruar se tingujt e interpretuar prej tij janë të fyellit dhe se në pjesën përkatëse ka sjellë edhe elemente të vajit lab.
Përfshirja e muzikës tradicionale shqiptare në një produksion të përmasave ndërkombëtare shihet si një mundësi për të prezantuar trashëgiminë muzikore shqiptare para një audience globale.


