Njihuni me pedagogun shqiptar që jeton e punon në Japoni, Elis Kulla: Ja si u realizua edhe takimi me kryeministrin Rama
Një rrëfim ndryshe ishte ai i pedagogut shqiptar Elis Kulla në studion e lajmeve në “Ora News”, i cili pati mundësi të takonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama gjatë vizitës zyrtare që ai zhvilloi këto ditë atje.
Kulla theksoi se jeton e punon në Japoni prej 9 vitesh dhe se qëndrimi i tij erdhi pas mbarimit të studimeve doktorale, ku dhe ai vendosi që të qëndrojë atje.
“Nuk më kanë munguar ofertat nga vende të ndryshme të Evropës, por zgjodha Japoninë për shkak të kulturës që ka ky vend.
Jeta këtu është shumë normale dhe e thjeshtë. Kam dy fëmijë të vegjël dhe fundjava këtu është shumë interesante sa i përket organizimit në parqe me piknik dhe barbeque. Bashkëshortja ime është japoneze dhe çdo ditë mësojmë gjëra për njëri-tjetrin dhe bashkëjetesa është edhe më interesante sa i përket komunikimit.
Deri tani jemi të kënaqur për çfarë kemi arritur dhe profesioneve tona dhe karrierës tonë. Ka një komunitet shqiptarësh dhe këtu dhe mblidhemi dhe takohemi e bashkëbisedojmë shpesh për zhvillimet atje”, u shpreh Elis Kulla
Në një lidhje skype për “Ora News”, pedagogu shqiptar Elis Kulla foli edhe për takimin me kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin që e shoqëronte.
“Takimi me kryeministrin Rama ishte shumë i thjeshtë, sepse ne ishim pjesë e komunitetit këtu dhe çdo gjë ishte e mirëmenduar dhe e përsosur sa i përket organizimit jo vetëm nga ana e ambasadosë tonë, por edhe vetë japonezëve, pasi këta vetë janë të fiksuar pas përsosmërisë.
Ishte një takim shumë i shkurtër rreth 1 orë e gjysëm dhe bashkëbisedimi ishte në përgjithësi. Shqiptarët punojnë e jetojnë këtu janë të përfshirë në shumë fusha të ndryshme, që nga baret e lokalet, në universitete, dikush tjetër kanë bizneset e tyre. Punojnë në kompani si inxhinierë e fusha të tjera”, u shpreh nga Japonia pedagogu shqiptar Elis Kulla.