Ekspertët: Tregu po ushtron presion për rritjen e pagave, por zgjidhja është te ...

Ekspertët: Tregu po ushtron presion për rritjen e pagave, por zgjidhja

Pagat e ulëta në vend, në krahasim me rajonin, lidhen me faktorë të shumtë, që nga niveli i zhvillimit të ekonomisë deri te faktorët sociologjikë, që vendosin shpërblimet.

Ndërsa tregu ka filluar vetë të ushtrojë presion, si rrjedhojë e mungesës së forcës punëtore, në afatin e gjatë, zgjidhja shihet vetëm te korrektimi i modelit ekonomik.

Erald Pashaj, administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompanisë së specializuar në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit; kërkimit dhe seleksionimit; konsulencës dhe sondazhit të pagave dhe stafit me qira, pohon se ka disa arsye se pse pagat në Shqipëri nuk janë si në vendet e tjera, pavarësisht rritjes së vendit këto vite.

“Shqipëria, edhe sot, është më pak e zhvilluar sesa Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, përveç Kosovës. Vendi më i ngjashëm është Maqedonia e Veriut, por edhe ata janë më lart sesa ne. Këto vende e kanë prodhimin e brendshëm për frymë ndjeshëm më lart, sidomos Mali i Zi dhe Serbia. Pra ata kanë paga më të larta, sepse janë më të zhvilluar ekonomikisht”.

Z. Pashaj pohon se, në krahasim me Kosovën, Shqipëria i ka pagat pak më të larta, por edhe këtu ka një veçori. “Pagat e ulëta në Kosovë janë pak më të larta sesa në Shqipëri. P.sh. një arkëtar në Kosovë paguhet 350 euro, tek ne 35 mijë lekë, ose një ekonomist në Kosovë merr 600-650 euro, te ne 70 mijë lekë.

Ndërsa në pagat e larta, Shqipëria është më konkurruese. Një CFO në Kosovë paguhet 1,500 – 2,000 euro, ndërsa në Shqipëri merr minimumi 200 mijë deri në 500 mijë lekë, dhe paga prej 300 mijë lekësh po bëhet normale për nivelin e CFO-ve. Pra, drejtuesit në Shqipëri paguhen pak më mirë se në Kosovë.

Aspekti i dytë, sqaron Pashaj, është historik. “Shqipëria gjithmonë ka qenë më e varfra në rajon (edhe sot në fakt), dhe sado pak, paga ishte përsëri mirë për punonjësin. E thënë ndryshe, nuk e kishte “luksin” të ankohej.

Vlerësimi në Shqipëri për punën e individit ka qenë shumë i ulët. Mendësia jonë, që sendi ishte i vlefshëm dhe puna e njeriut, jo, na ka shoqëruar shumë gjatë. Ky perceptim vetëm në 2-3 vitet e fundit ka ndryshuar.

Njeriu ishte në plan të dytë. Kjo u përforcua shumë gjatë sistemit monist, kur mungesa materiale dhe izolimi i madh, e bëri njeriun të dukej krejt pa vlerë, ku njerëz kishte me bollëk dhe materialet zero. Kjo mendësi vazhdoi edhe në tranzicion.

Z. Pashaj shton se si pasojë e dy faktorëve të mëparshëm, punonjësi shqiptar nuk ka ushtruar asnjëherë presion ndaj punëdhënësit për paga më të mira.

“Asnjëherë! Gjithmonë e ka perceptuar veten që unë jam mirë, sepse ka edhe më keq. Dhe nëse nuk kërkohet, nuk ka as përgjigje nga krahu tjetër. Ka edhe aspekte të tjera, por gjykoj se këto janë baza ekonomike-sociologjike”, tha ai.

Vetë tregu pritet të ushtrojë presion mbi pagat

Z.Pashaj thotë se, në fund të fundit, paga është rezultat i kërkesës dhe ofertës për punë, sa paguan punëdhënësi dhe sa i përgjigjen punëmarrësit dhe e kundërta.

“Paga nuk është rezultat sesa fitime nxjerr kompania, apo sa me humbje del, sepse ky është faktor emocional sesi ndihen palët në një moment të caktuar. Askush nuk do të paguajë më shumë sesa tregu, përveçse shumë përkohësisht”, tha Pashaj.

Ai parashikon që, në të ardhmen, pritet të rritet presioni i tregut mbi pagat.

“Mesa duket, tregu kërkesë-ofertë i ka vendosur pagat tona në këto nivele sot, shumë më mirë sesa më parë dhe që ende është me tendencë rritëse. Besoj deri në qershor, kur sektori i turizmit do ta rrisë përsëri ofertën për punë, kjo do të japë efekt zinxhir në të gjitha pagat në vend”, tha ai.

Xhepa: Duhet korrektim i modelit ekonomik

Është e vërtetë se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presion mbi pagat, por në afatin e gjatë, kjo nuk mjafton. Nëse ekonomia nuk bëhet produktive, shumë biznese do të detyrohen të falimentojnë si rrjedhojë e rritjes së kostove, si të lëndëve të para, ashtu dhe të shpërblimeve të detyrueshme më të larta për punonjësit.

Prof. Selami Xhepa, rektor i Universitetit Europian të Tiranës, pohon se në mënyrë që situata të ndryshojë, duhet një korrektim i modelit ekonomik.

-Së pari, rekomandon si, duhen ndryshime ligjore në fushën e taksimit – më fort mbi kapitalin dhe më pak mbi punën; p.sh. tatimi mbi dividendin të shkojë në 15% dhe tatimi i fitimit, 10%.

-Së dyti, të ketë nxitje për investime te fuqia punëtore – paga, kushte pune, të ketë kushtëzim për përfitime nga fondet publike (përfshi tenderat publikë) me nivelet e pagave dhe kushtet e punës).

-Së treti, duhet të ketë ndryshime në politikat e prokurimeve publike për të ndaluar kapjen e tregut nga një numër i kufizuar operatorësh.

-Së katërti, të ketë masa për mbështetjen e investitorëve në përmirësime teknologjike (skemat e granteve të jenë të kushtëzuara me zhvendosjen në zinxhirin e vlerës në industritë përkatëse ku janë operatorët).

-Së pesti, duhet më shumë transparencë financiare nga firmat private lidhur me botimet e bilanceve kontabël; rritje të përgjegjësisë ligjore të nëpunësve financiarë të firmave, kompanive të auditit në certifikimin e bilanceve false.

-Së gjashti, rekomandon Prof. Xhepa, kontratat e Partneritetit Publik- Privat të botojnë çdo informacion financiar mbi pagesat e individëve përfitues.

Norma 23% për pagat e larta ka dekurajuar tregun

Që prej vitit 2014, pagat e ashtuquajtura të larta tatohen me 23%. Kufiri ishte fillimisht 130 mijë lekë dhe më pas, u rrit në 150 mijë lekë.

Të ardhurat mbi këtë vlerë tatohen me një normë që është më e larta në rajon, në emër të taksimit të të “pasurve”, ndërkohë që ky nivel të ardhurash konsiderohet si normal për shtresën e mesme të popullsisë.

Ky taksim i lartë, vetëm sa ka krijuar shmangie dhe evazion dhe ka dekurajuar shtresën e mesme.

“Ne kemi shumë evazion te pagat e larta”, pohon Artan Gjergji, ekspert financiar.

“Tatimi progresiv ka vrarë shtresat e mesme, të punësuarit me pagë”, pohon ai. /Monitor/

EMISIONET