Kur dashuria përballet me dilemën më të madhe: A duam fëmijë?!

Kur dashuria përballet me dilemën më të madhe: A duam

Disa vendime në çift nuk zgjidhen me një marrëvedhje të thjeshtë. Një prej tyre është pyetja që mund ta ndryshojë gjithë të ardhmen e marrëdhënies: “A duam fëmijë?”Çfarë ndodh kur njëri partner dëshiron të bëhet prind, ndërsa tjetri e sheh jetën pa fëmijë? Si mund të gjendet një gjuhë e përbashkët për një vendim kaq të madh, pa përfunduar në presion, ultimatum apo sakrificë të heshtur?

Psikoterapistja Merle Bombardieri, autore e librit The Baby Decision, ka punuar për më shumë se 50 vite me çifte që përballen pikërisht me këtë dilemë. Sipas saj, kjo është një nga pyetjet më të zakonshme që çiftet sjellin në terapi.

Lajmi i mirë është se, në shumë raste, mund të gjendet një rrugë e mesme, për sa kohë të dy partnerët janë të hapur, të sinqertë dhe të gatshëm të kuptojnë frikërat, dëshirat dhe kufijtë e njëri-tjetrit.


“Shpesh, njerëzit arrijnë të gjejnë një zgjidhje që funksionon për të dy,” thotë Bombardieri.
Por ka edhe një paralajmërim shumë të rëndësishëm: askush nuk duhet të bëjë fëmijë vetëm për të kënaqur partnerin.

Mos prisni të jeni 100% të sigurt!

Shumë çifte kërkojnë ndihmë sepse duan të jenë plotësisht të sigurt për vendimin e tyre. Por, sipas Bombardieri-t, për shumicën e njerëzve, siguria 100% është e pamundur.

Arsyeja është e thjeshtë: çdo zgjedhje ka diçka që fiton dhe diçka që humbet. Nëse bëhesh prind, mund të humbasësh një lloj lirie, kohe apo mungese përgjegjësish. Nëse zgjedh të mos kesh fëmijë, mund të pyesësh veten si do të kishte qenë jeta ndryshe.

Prandaj, ajo sugjeron një qasje më realiste: synoni të jeni rreth 80% të sigurt.

Për shumë njerëz, kjo është më e afërta me një vendim të qëndrueshëm. Në vend që të pyesni veten “A do të pendohem?”, pyetja më e dobishme mund të jetë: “Për cilën zgjedhje ka më pak gjasa të pendohem?”

Kur njerëzit kërkojnë vendimin e përsosur, shpesh e bllokojnë veten. Në një çështje kaq të madhe, ndonjëherë nuk ka përgjigje perfekte, por ka përgjigje më të ndershme.

Fillimisht, kuptoni veten

Përpara se të përpiqeni të bindni partnerin ose të gjeni kompromis, Bombardieri sugjeron një ushtrim individual që e quan “dialogu i karrigeve”.

Merrni dy karrige dhe vendosini përballë njëra-tjetrës. Njëra përfaqëson jetën si prind, tjetra jetën pa fëmijë. Uluni në secilën karrige dhe përpiquni të flisni nga ajo perspektivë.

Në karrigen e “prindërimit”, mund të thoni: “Unë e kam dashur gjithmonë një fëmijë. Më duket sikur kjo është pjesë e jetës që dua.”

Në karrigen e “jetës pa fëmijë”, mund të thoni: “Kam frikë se do të humbas veten, lirinë ose marrëdhënien time.”

Qëllimi nuk është të jepni përgjigjen e duhur, por të dëgjoni çfarë del në sipërfaqe kur i jepni hapësirë të dyja anëve.

Bombardieri këshillon t’i kushtoni vëmendje edhe trupit: në cilën karrige ndiheni më të qetë? Ku flisni me më shumë energji? Ku ndiheni të frikësuar, të zemëruar apo të lehtësuar?

Pasi të dy partnerët ta kenë bërë këtë ushtrim veçmas, mund të rikthehen te biseda me më shumë qartësi.

Vlerësoni sa fort e ndieni vendimin

Një mënyrë tjetër për të kuptuar sa larg ose afër jeni si çift është ta vendosni ndjenjën tuaj në një shkallë nga 0 në 10.

Sipas Bombardieri-t, 0 do të thotë: “Jam plotësisht i/e sigurt që nuk dua fëmijë.” 10 do të thotë: “E di që dua fëmijë dhe nuk mund ta imagjinoj jetën pa fëmijë.”

Ky ushtrim mund të ndihmojë çiftin të kuptojë nëse janë vërtet në pole të kundërta apo nëse ka hapësirë për bisedë.

Por nëse dikush është plotësisht i sigurt se nuk dëshiron të bëhet prind, nuk duhet të bëjë fëmijë vetëm për të ruajtur marrëdhënien.

“Njerëzit nuk duhet të kenë kurrë një fëmijë për të kënaqur partnerin,” thotë Bombardieri.
Sipas saj, një vendim i tillë rrezikon të çojë ose në ndarje, ose në një familje të palumtur.

Kompromisi nuk është gjithmonë bardh e zi

Vendimi për fëmijë shpesh duket si “po” ose “jo”, por jo çdo situatë është kaq e prerë.

Nëse njëri partner dëshiron tre fëmijë dhe tjetri nuk dëshiron asnjë, ndoshta mund të diskutohet ideja e një fëmije. Për disa çifte, kjo mund të jetë një zgjidhje që u jep mundësinë të përjetojnë prindërimin pa u ndier të mbingarkuar.

Nëse njëri partner nuk dëshiron fëmijë sepse dëshiron të udhëtojë, mund të flitet konkretisht: Cilat vende dëshiron të shohë? A mund të udhëtoni për disa vite dhe më pas ta rihapni si bisedë? A mund të ruhet një pjesë e lirisë personale edhe pas krijimit të familjes?

Nëse njëri partner nuk dëshiron të bëhet prind, ndërsa tjetri ka një dëshirë të fortë për t’u kujdesur për fëmijë, mund të kërkohen forma të tjera për ta jetuar këtë anë: kohë me nipër e mbesa, punë vullnetare, mentorim apo angazhim me fëmijë në komunitet.

Këto nuk janë zgjidhje magjike dhe nuk funksionojnë për të gjithë. Por ndonjëherë e zbusin mendimin se ekzistojnë vetëm dy rrugë: ose bëjmë fëmijë, ose ndahemi.

Ndonjëherë, rruga e mesme nuk ekziston

Megjithatë, jo çdo situatë ka një kompromis të lumtur. Ka raste kur dëshirat janë aq të ndryshme, sa vendimi më i ndershëm është ndarja. Kjo nuk do të thotë se marrëdhënia ka dështuar. Do të thotë se dy njerëz mund ta duan njëri-tjetrin dhe sërish të kenë vizione të papajtueshme për jetën.

Ajo që ka më shumë rëndësi, sipas Bombardieri-t, është që të dy partnerët të ndihen të dëgjuar. Nëse njëri pranon zgjedhjen e tjetrit, duhet të dijë se partneri ka bërë gjithçka për ta kuptuar dhe respektuar sakrificën e tij.

Përndryshe, pakënaqësia do të dalë më vonë, në formën e zemërimit, ftohjes apo pendesës.

Si përfundim...

Vendimi për të pasur ose jo fëmijë nuk duhet marrë nga frika e humbjes së partnerit, nga presioni i familjes apo nga ideja se “kështu bëjnë të gjithë”. Kjo temë  kërkon ndershmëri të plotë, durim dhe shumë kujdes. Sepse tekefundit, nuk bëhet fjalë vetëm për të shpëtuar marrëdhënien, por për jetën që të dy po përpiqeni të ndërtoni - dhe për faktin nëse ajo jetë mund të jetë e drejtë për të dy.

EMISIONET