Dizajnerët zbulojnë gabimet që duhet t’i shmangni në një sallon të vogël

Nëse shtëpia juaj ka një sallon të vogël, e dini tashmë që dizajnimi i tij mund të jetë sfidues. Kur çdo centimetër ka rëndësi, duhet të mendohesh mirë për mobiliet, ndriçimin dhe elementët e tjerë.
Dizajnerët e brendshëm tregojnë gabimet më të shpeshta që duhen shmangur, sepse mund ta bëjnë hapësirën të duket e mbingarkuar dhe e vogël, si dhe japin ide si ta bëni më të hapur dhe funksional.
Salloni është një nga hapësirat ku zhvillohet jeta e përditshme e familjes: aty bisedohet me miqtë, shikohet film apo kalohen momente relaksi. Edhe nëse është i vogël, ai duhet të jetë i rehatshëm dhe praktik. Përveç shmangies së rrëmujës, dizajnerët theksojnë rëndësinë e përdorimit kreativ të hapësirës për ruajtje dhe dekor. Shumë njerëz harrojnë hapësirën vertikale ose zgjedhin mobilie pa funksion shtesë. Po ashtu, rekomandohet që ambienti të jetë personal dhe jo i ndërtuar vetëm sipas trendeve.
Më poshtë janë gabimet kryesore që duhet të shmangni në një sallon të vogël.
Mos e neglizhoni hapësirën vertikale
Kur hapësira në dysheme është e kufizuar, shumë njerëz fokusohen vetëm aty, por dizajnerët sugjerojnë të shikohet lart.
Sipas dizajneres Meghan Jay, vendosja e perdeve më afër tavanit e bën dhomën të duket menjëherë më e madhe. Gjithashtu, raftet në mur dhe mobiliet e varura ndihmojnë që dyshemeja të duket më e lirë dhe hapësira më e gjerë. Pasqyrat gjithashtu ndihmojnë në krijimin e ndjesisë së një dhome më të madhe.
Mos u mbështetni vetëm te një burim ndriçimi
Ndriçimi vetëm nga tavani shpesh nuk është i mjaftueshëm.
Dizajnerët rekomandojnë kombinimin e disa burimeve drite: llamba dyshemeje, llamba tavoline dhe ndriçim muri. Kjo jo vetëm ndriçon më mirë hapësirën, por edhe e bën atë të duket më e madhe dhe më e ngrohtë. Pasqyrat gjithashtu ndihmojnë duke reflektuar dritën natyrale.
Mos zgjidhni divan shumë të madh
Në një hapësirë të vogël, madhësia e mobilieve është shumë e rëndësishme.
Një divan shumë i madh mund ta bëjë dhomën të duket e ngarkuar dhe e papërdorshme. Dizajnerët këshillojnë që mobiliet të jenë në përpjesëtim me madhësinë e dhomës dhe lartësinë e tavanit, në mënyrë që hapësira të mbetet funksionale dhe e lehtë për t’u lëvizur.
Mos blini mobilie që kanë vetëm një funksion
Në hapësira të vogla, mobiliet duhet të jenë sa më praktike.
Rekomandohen mobilie që ofrojnë edhe hapësirë ruajtjeje, si tavolina kafeje me rafte ose komoda televizori me hapësira shtesë. Megjithatë, nuk duhet tepruar, që dhoma të mos duket e mbushur.
Mos kini frikë nga një element që bie në sy
Shumë njerëz shmangin elementët e fortë dekorativë në hapësira të vogla, por dizajnerët thonë se kjo është gabim.
Një vepër arti e madhe ose një objekt i veçantë mund t’i japë jetë dhomës dhe ta bëjë më interesante, pa e mbingarkuar atë.
Mos shmangni ngjyrat dhe modelet
Ekziston një mendim se hapësirat e vogla duhet të jenë vetëm me ngjyra të çelëta, por kjo nuk është e detyrueshme.
Edhe ngjyrat e errëta mund të funksionojnë mirë nëse kombinohen siç duhet me dekorin. Po ashtu, modelet dhe ngjyrat e forta mund t’i japin personalitet hapësirës.
Mos i shtyni mobiliet komplet pas murit
Një gabim i zakonshëm është vendosja e të gjitha mobilieve ngjitur me murin.
Dizajnerët sugjerojnë që mobiliet të “shkëputen” pak nga muret për të krijuar më shumë thellësi dhe rrjedhshmëri në hapësirë. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohet që lëvizja në dhomë të mbetet e lirë dhe e rehatshme.


