Andrea Bocelli në skenën e FIFA-s, tenori italian hap festimet për Kupën e Botës 2026!

Andrea Bocelli do të jetë protagonisti i ceremonisë që shënon nisjen zyrtare të numërimit mbrapsht për FIFA World Cup 2026.
Tenori i njohur italian është përzgjedhur nga FIFA për të inauguruar Koncertin Countdown, një ngjarje speciale që do të lidhë simbolikisht Mexico City, Toronto dhe Los Angeles përmes muzikës dhe pasionit për futbollin.
Në skenën e Auditorio Nacional në Mexico City, përpara mijëra spektatorëve dhe miliona shikuesve në mbarë botën, Bocelli do të jetë artisti i parë që do të performojë. Ai do të interpretojë këngën e njohur “Nelle Tue Mani”, pjesë e kolonës zanore të Gladiator dhe e përfshirë në albumin e tij Cinema.
Performanca e tij pritet të hapë në mënyrë spektakolare mbrëmjen festive të organizuar nga FIFA, duke shënuar fillimin e një viti të mbushur me emocion dhe pritje për turneun më të madh të futbollit në botë. Ceremonia do të jetë një ndër ngjarjet simbolike që nisin zyrtarisht rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


