David Harbour thyen heshtjen për raportet me Millie Bobby Brown: Kemi pasur debate, por gjithmonë respekt dhe dashuri!

David Harbour ka reaguar ndaj raportimeve që sugjeronin se kolegia e tij Millie Bobby Brown mund të kishte ngritur shqetësime për sjellje bullizuese apo ngacmim gjatë xhirimeve të serialit Stranger Things.
Në një intervistë për Variety, aktori i njohur i cilësoi këto raportime si të keqinterpretuara, duke theksuar se marrëdhënia e tyre shumëvjeçare ka kaluar natyrshëm edhe momente mosmarrëveshjesh.
“Është një shfaqje që zgjati 10 vite. Si çdo familje, kemi pasur debate dhe mosmarrëveshje, por gjithçka është zgjidhur përmes komunikimit,” u shpreh Harbour.
Ai nënvizoi se mes tij dhe Brown ka pasur gjithmonë respekt dhe mbështetje reciproke, ndërsa la të kuptohet se mund të bashkëpunojnë sërish në projekte të ardhshme.
Edhe Brown ka hedhur poshtë çdo pretendim për probleme në marrëdhënien e tyre profesionale. Në një intervistë për Deadline, aktorja deklaroi se gjatë gjithë viteve të punës në serial është ndier e sigurt në set dhe se vlerëson shumë eksperiencën e ndarë me Harbour.
“Sigurisht që jam ndier e sigurt. Kemi punuar bashkë për 10 vite,” tha Brown, duke shtuar se lidhja e tyre profesionale është forcuar me kalimin e kohës.

