"Liderët e rajonit me lidhje biznesi", Abazoviç: Rama do më kontaktojë, më telefonuan 50 deputetë shqiptarë

"Liderët e rajonit me lidhje biznesi", Abazoviç: Rama do

Pjesëtari i qeverisë së ardhshme malazeze, shqiptari Dritan Abazoviç, mendon se lidhjet personale dhe të biznesit mund të jenë arsyeja se pse muajin e kaluar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbështeti paraprakisht partinë në ikje të presidentit, Milo Gjukanoviç.

Liderët e Ballkanit, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama, kanë lidhje biznesi me njëri-tjetrin prandaj dhe u intereson status quo-ja në politikën rajonale.

Dritan Abazoviç, lideri i partisë URA në Malin e Zi dhe përcaktuesi i qeverisë së re atje, kritikoi muajin e kaluar vendimin e Ramës që i bëri thirrje popullit malazez të votojë sërish pas 30 viteve me radhë partinë në largim të presidentit Milo Gjukanoviç.

Këto kritika, politikani shqiptar i përsëriti edhe në fundjavë në një intervistë për mediet lokale.

"Nëse ndërhyjmë në punët e brendshme të një shteti tjetër, duhet pasur njëfarë parimi. Kryeministri i Shqipërisë i dha mbështetje publike Milo Gjukanoviçit para zgjedhjeve. Nuk ia dha partive shqiptare, por Gjukanoviçit, dhe tani po provon të më kontaktojë mua njësoj si nja 50 deputetë shqiptarë. Ndoshta ishte duke pikturuar karikatura që nuk na mbështeti atëkohë."

Abazoviç e ka një mendim se pse politika shqiptare mbështeti regjimin e Gjukanoviçit, që ai më parë e ka quajtur diktatorin e fundit të Evropës.

"Personalisht mendoj se është çështje biznesi. Kjo është e vërtetueshme në nivelet e ulëta, me disa deputetë nga Shqipëria dhe njerëz të tjerë më influencë më Malin e Zi. Ka edhe që kanë hotele. Ndërsa qytetarët mendojnë se këta e bëjnë se janë të shqetësuar për shqiptarët, apo një tjetër për boshnjakët, apo tjetri për serbët dhe në fund për Malin e Zi."

Komentet e Abazoviçit vijnë në kohën kur presidenti malazez Gjukanoviç pritet t'i japë stafetën e formimit të qeverisë tri partive opozitare që fituan shumicën në zgjedhjet e 30 gushtit.

Vetë 34-vjeçari në qeverinë e ardhshme përflitet se do marrë postin e kryediplomatit të vendit, që do e bënte atë shqiptarin e katërt në krye të Ministrisë së Jashtme në Ballkanin Perëndimor.

Të mërkurën, ndërkohë, parlamenti malazez pritet të mbajë edhe seancën konstituive.

Tri partitë opozitare kanë siguruar 41 nga 81 vendet e mundshme, ndërsa Partia e kryeshtetarit Gjukanoviç, koalicioni shqiptar dhe minoritetet e tjera, numërojnë 1 deputet më pak së bashku.

Rajoni Lajme Mali i Zi- rama biznes rajon Abazoviç lider

EMISIONET