Lëkundjet në Zharrës, Gjiknuri grup pune për monitorimin e zonës naftëmbajtëse
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për lëkundjet në zonën e Zhërëzës për fenomenin e lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse.
Në një takim, të kryesuar nga zv.ministri Ilir Bejtja ku morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), shoqërisë Albpetrol sha, Institutit të Gjeoshkencës, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, zyrës CAO të IFC-së, përfaqësues të banorëve dhe të kompanisë Bankers Petroleum., u diskutua për projektin teknik mbi monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës.
Grupi i punës ra dakord që me financimin e kompanisë Bankers, të mundësohet blerja dhe më pas vendosja, fillimisht e dy stacioneve sizmike në këtë zonë me qëllim monitorimin e lëkundjeve.
Përfaqësuesit e Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencës parashtruan specifikimet teknike kryesore mbi rrjetin sizmologjik në zonën e Patos Marinzës ndërsa konstatuan zgjidhjen optimale për një monitorim të integruar instrumental në një kohë sa më të shkurtër.
Të dhënat që do të përftohen nga vendosja e stacioneve sizmike do të përpunohen dhe ndiqen nga ana e Institutit të Gjeoshkencës, Albpetrolit dhe AKBN-së. Procesi pritet që në një periudhë deri në 6 muaj nga vendosja e paisjeve të japë të dhëna konkrete për shkaqet e lëkundjeve të tokës.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë thekson se mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimit mbi shkaqet e lëkundjeve të tokës dhe nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftënxjerrës që kryen kompania Bankers Petroleum.
