Ndërtuesit kërkojnë legalizim: Proçesi të përshpejtohet, dorëzuam dokumentat
Ndërtuesit kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë për legalizimet e pallateve. Sipas kreut të shoqatës së ndërtuesve Maksim Muçi janë 300 pallate të cilat ende nuk kanë marrë asnjë dokument në lidhje me këtë proces edhe pse kanë bërë pagesat e kërkuara.
Në këtë kuadër, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë.
Ministrja Gjermeni vlerësoi tryezën e institucioneve ndërsa theksoi se është në përfundim paketa ligjore për legalizimet dhe së shpejti do t`i kalojë qeverisë për miratim.
“Vlerësoj tryezën e institucioneve, një takim i tillë nuk është realizuar asnjëherë më pare. Qytetarët e kanë vuajtur shumë mungesën e koordinimit të institucioneve për çështjen e legalizimeve. Çështja e legalizimeve një nga premtimet kryesore të qeverisë, kërkojmë mbështetje edhe nga njësitë vendore Jemi të angazhuar që të mos lejojmë ndërtime pa leje, pasi procesi i legalizimeve nuk do kishte kuptim” është shprehur Gjermeni.
Ndërsa kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka theksuar se moskoordinimi i institucioneve u ka shkaktuar makthe qytetarëve për zgjidhjen e legalizimit të pronës.
“Nuk ka patur asnjë bashkëpunim mes institucioneve të linjës, duke kaluar në gjyq shumë çështje. Reforma e tokës vazhdon ende, ndërkohë që duhet të kishte përfunduar brenda dy viteve” theksoi Lame.
Për të përshpejtuar sa më parë procedurat e legalizimeve për herë të parë u mbodhw një tryezw për të bashkërenduar punën midis institucioneve të linjës. Një ndër projektet që pritet të lehtësoj bashkëpunimin është edhe hapja e një faqe on-line e cila do të shërbejë për të shkëmbyer informacion në kohë reale midis institucioneve.
