Lazarat, Llalla nis dy prokurorë të koordinojnë hetimet, asgjesohen mbi 54 ton kanabis
Gjirokastër - Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka deleguar në Prokurorinë e Gjirokastrës, dy prokurorë, Adnan Kosovën dhe Alfred Progonatin, të cilët do të koordinojnë veprimet e shumta hetimore që janë duke u kryer për çështjen "Lazarat" ndërmjet Prokurorisë së Gjirokastrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Dy prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova dhe Alfred Progonati, gjenden prej ditës së sotme në Gjirokastër.
Ndërkohë, për Lazaratin, që prej disa ditësh, vetëm për veprimet hetimore dhe ndjekjen të çështjeve në gjykatë, janë caktuar 5 prokurorë, nga të cilët 3 nga prokuroria e Gjirokastrës dhe dy nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këta 5 prokurorë po drejtojnë hetimin për 15 grupe hetimore në terren (1 prokuror mbulon 3 grupe policore në terren).
Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm ka komanduar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër edhe dy prokurorë të tjerë, konkretisht, Asllan Bajramin, i cili është prokuror në Përmet dhe Çlirim Sinon, i cili është prokuror në Fier.
Deri më tani, në bazë të kërkesave nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës, gjykata ka dhënë rreth 20 masa “arrest me burg”, për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për kultivim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, si edhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, deri më tani janë dhënë 5 masa “arresti me burg” për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për vrasje e mbetur në tentativë e punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje, prodhimi dhe shitje lëndësh narkotike dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Bazuar në veprimet në terren, pritet të vijojë të rritet numri i personave nga zona e Lazaratit që janë kompetencë e Prokurorisë së Gjirokastrës, por edhe e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në këtë mënyrë, Prokuroria do të vijojë të vlerësojë hap pas hapi nevojën që do të ketë për burime njerëzore shtesë për hetimet në zonën e Lazaratit.
Policia vazhdon kontrollet dhe mbledhjen e provave
Forcat e policisë së shtetit kanë vijuar edhe përgjatë ditës së sotme operacionin në fshatin Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjesimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme.
Operacioni i policisë sot dhe droga e sekuestruar
1. Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 33 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës.
2. Janë gjetur e asgjesuar mbi 8 ton e 260 kg marijuanë, nga të cilat 5.8 ton boçe kanabis, si dhe 148 rrënjë bimë narkotike Kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
3. Janë sekuestruar 57 automatikë dhe pushkë, 6 mitrolozë të lehtë, 1 mitroloz i rëndë dhe 1 gulinov, 5 pistoleta, 1 antitank dhe 3 armë gjahu.
4. Janë sekuestruar gjithashtu dhe një sasi e konsiderueshme municioni si: 15.800 fishekë, 70 granata, 78 kallëpë tritol dhe një arkë me tritol, 23 predha antitank, 9 mbushje predhash, 42 krehra fishekësh, 10 ml fitil zjarrpërcjellës dhe 1370 kapsolla detonatore.
5. Janë gjetur e sekuestruar gjithashtu dhe 13 armë të djegura si dhe pjesë armësh si: 1 snajper, 2 armë sharp gjermane, 3 pistoleta, 4 automatikë, 1 pushkë, 2 armë gjahu, 1 silenciator, dhe 2 krëhra.
6. Është gjetur e sekuestruar 1 metalkërkues, si dhe 2 targa.
7. Një pajisje për presimin e lëndës narkotike.
8. 3 kasaforta.
Po sot në sajë të operacioneve të organizuara nga focat e policisë u bë e mundur kapja e 3 personave të shpallur në kërkim.
- Maliq Skënderi, vjeç 55, banues në Lazarat. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në banesën e tij, më datë 23.06.2014 janë gjetur e sekuestruar me cilësinë e provës materiale 20 m fitil zjarrpërcjellës, si dhe një aparat vakuumi për amballazhimin e lëndë narkotike. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak”.
- Po ashtu nga strukturat e policisë është bërë kapja e shtetasit Zenel Shurdhi, vjeç 28, banues në fshatin Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi më datë 20.06.2014 është gjetur një sasi lëndë narkotike kanabis sativa, janë gjetur të kultivuara gjithashtu bimë narkotike kanabis sativa, si dhe është gjetur një sasi fishekësh. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotiëve” dhe “mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak”.
- Adem Selimi, vjeç 42, banues në fshatin Lazarat. Ky shtetas ishte shpallur person në kërkim, pasi Gjykata për Krime të Rënda Tiranë, me vendim datë 11.05.2012, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “prodhim e shitje narkotikësh” e kryer në bashkëpunim.
Rezultate të operacionit në total
Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 54 ton e 410.565 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 614 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës, ndërsa janë sekustruar sasi të mëdha armatimi dhe municionesh.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 26 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.
e.k/Oranews.tv
