Tahiri- Alikos: O me policinë o do trajtohesh si kriminel. Kryekomunari i Lazaratit ikën nga mbledhja
Tirane- "Me ne, me ligjin e policinë, o përballë nesh ku konsiderohen kriminelët". Kjo ka qenë deklarata që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përcjellë publikisht për Dasho Alikon, kryetarin e komunës së Lazaratit.
Pas takimit që zhvilloi në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës dhe ku ishte i pranishëm edhe Aliko, por u largu para kohe tepër i irrituar Ministri Tahiri tregoi për gazetarët se cila ka qenë biseda mes tij dhe Alikos në takimin me dyer të mbyllura.
”I kujtova përgjegjësitë që ka para ligjit dhe këto janë momente për të qenë në kah të policisë dhe ligjit në të kundërt janë kriminelë dh do të konsideohen të tillë”
Policia akuzoi dje Alikon se po kishte ndihmuar të arratiseshin nga shtëpia e Razip Mahmutajt grupin kriminal i cili kishte qëlluar mbi policinë gjatë aksionit për asgjësimin e kanabisit.
Ndërsa sot policia e shtetit akuzoi Alikon se nuk ka treguar asnjë fjalë për grupin kriminal i cili vepronte në lagjen Zinxhira e që kanë vështirësuar lëvizjen në aksin rrugor. Sipas policisë nga banesa e Erik e Gurgaz Skenderi dhe Bajo Skendulit po qëllohet në drejtim të policisë e kanë grumbulluar shumë armatim.
“Policia e Shtetit kupton shqetësimin e banorëve të Lazaratit dhe sqaron banorët se nuk janë plumbat e policisë që po bien mbi Lazarat por plumbat e grupit të armatosur që po vepron brenda Lazaratit, plumba të atij grupi që plagosën avokatin para dy ditësh, që plagosën punonjësin e policisë së shtetit duke u gdhirë dita e sotme, janë po ato plumba që kanë shqetësuar fshatrat përrreth dhe lagjen Zinxhira e që kanë vështirësuar lëvizjen në aksin rrugor.
I bëjmë me dije Kryetarit të Komunës se shqetësimi vjen nga ky grup i armatosur, grup për të cilin kreu i komunës nuk ka thënë asnjë fjalë deri në këto momente dhe që vepron brenda në fshatin Lazarat.
