VIDEO nga Divjakë-Karavastaja/ Pelikani kaçurrel në proces folezimi

VIDEO nga Divjakë-Karavastaja/ Pelikani kaçurrel në proces

Që prej muajit janar të këtij viti ka nisur procesi i folezimit të kolonisë së Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus) në Ishullin e Pelikanit.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje të veçanta nga ishulli i pelikanëve në lagunën e Divjakë-Karavastasë, oazi i pelikanit kaçurrel në vendin tonë.

“Pamje të veçanta nga ishulli i Pelikanit, shtëpia e shpendit simbol të lagunës së Karavastasë siç është Pelikani Kaçurrel i cili sipas monitorimeve të specialistëve të Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është në një vit të mbarë të shumimit”, u shpreh Rama.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë mbetet numri i përditshëm i vizitorëve vendas e të huaj që vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë, që tashmë e kanë kthyer lagunën e Divjakë-Karavastasë në habitatin e tyre të përhershëm.

Një ndër shpendët më të vizituar është edhe Pelikani Kaçurrel. Ky shpend i rrallë dhe i çuditshëm që ka filluar të shtohet në disa laguna të Shqipërisë si në Nartë, Kune-Vain dhe në liqenin e Shkodrës, habitatin e vet dhe vëmendjen më të madhe po e tërheq në Lagunën e Divjakë-Karavastasë.

Këtë vit procesi i riprodhimit është i mbarë dhe i pashqetësuar. Monitorimi do të vijojë rregullisht deri në largimin e zogjve të fundit nga foletë.

Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.

Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.

Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 m. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.

EMISIONET