SOT, NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË MJESHTRIT/ Simon Gjoni, legjenda e heshtur dhe historia e “Lule bore”, himnit të muzikës lirike shqiptare

SOT, NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË MJESHTRIT/ Simon Gjoni, legjenda

Rasti i kompozitorit Simon Gjoni është më kuptimploti i marrëdhënies së krijuesit me veprën dhe vetë veprës me kohën.

Ai ka një galeri të pasur përvoje të kumtit krijues, por ajo që e ka bërë atë kaq të famshëm dhe të përgjithmonshëm në vetëdijen e adhurimit të ëndshëm të gjeneratave është “Lule Bore”.

Një pavdekësi e merituar, një magjike e shndërruar në gjakun dhe ritmin e kohërave. Ai lindi në një shkëndi dhe u përjetësua në një shpërthim, në atë vezullimë që na mbush zemrën e na ngop shpirtin, hov kurmet e përflak gjakrat.

“Lule Bore” më shumë se një këngë, ajo ishte zëfillja e një drithërime shpirti dhe mbeti një dashuri e dëshiruar në tinguj, në nota, në fjalë, në zëra që tendosin ëndjen dhe u bien telave të joshjes me kaq afsh e magji, sikur janë rite të një solemtniteti hyjnor.

“Lule Bore” është një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike, Himn të muzikës lirike shqiptare. Është kënga “Lule bore”…(!)

Po të pyesësh, njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh,  tkurrin supet për të thënë: “Se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se, “është një këngë e popullit…”.

Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron  pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paarritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni.

Pavarësisht se ka 55 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet  si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë paskësaj e pranishme së bashku me gëzimin e shqiptarëve në të gjitha pikat e globit.

I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve të ndryshme orkestrale dhe vokale të qytetit të tij.

Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947  një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, “Lule bore”, “Sy larushës”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane, ndërsa u përhapën me shpejtësinë e dritës në Shqipëri.

Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetëm tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj.

Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën “Lule bore”, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore.

E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me himnin e këngës shqiptare “Lule-bore”.

Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin: “A…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.

I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si “Lule bore”, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij Hermira Gjoni në një album të veçantë.

Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion, kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizmit të festivalit të fund-vitit.

Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje… Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit…!

Është pikërisht kjo këngë që  aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Simon Gjoni, legjenda e heshtur e muzikës simfonike

Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima.

Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërorë, si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet etj. Në vitin 1956 në sallën “Mestska  Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”.

Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit  Jiri Benda. Në vitin 1957 në sallën “Dum Umelco” ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.

Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit.

Në vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.

Përmendet baleti “Lola”, “Laurencia”, operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliacot”, “Franceska da Rimini”, “Pranvera”, etj. Për herë të parë nën kujdesin e tij incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën “Lejlaja” të T.Daisë, operetën “Agimi” të K.Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkestër të Tonin Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare.

Nga autorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven “Simfoni nr.8”, Mendelson “Uverture”, Beethoven “Eleonora”, Uverture K.M. Veber “Gjuetari Magjik”, Liszt “Prelude”, Dvorzhak “Valle simfonike”.

Krijmtaria e tij ka kaluar thuajse të gjitha gjinitë; nga kënga, romanca, kantata, suita, poemat, veprat instrumentale e deri tek veprat e mëdha orkestrale si 11 valle simfonike, vepra këto ku ndihet atmosfera e kohës, besimi i kompozitorit ndaj popullit të tij prezenca e të cilit është e pashmangshme me të gjitha dukuritë në këto vepra.

Në maj te vitit 1960 kompozoi odën lirike “Pranvera jone”, me tekst të Ismail Kadare, dhe një suite simfonike me katër kohe.

Një vit më pas kompozoi “Poema e rapsodit” për bas-celo-piano. Balada “Lufton shqipja” u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Llukë Kacaj.

Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore.

Secila nga vallet është një vepër me vete krejt e vecantë dhe e ndryshme nga të tjerat.

Si  pedagog Simon Gjoni, dha nje kontribut të çmuar deri në castet e fundit të jetës, kur përgatiti me dhjetra studentë.

Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadene, T.Guraziun, Y.Skenderin.

Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një  shëmbull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.

U nda nga jeta në 31 Tetor 1991. Emri i Simon Gjonit siç e ka cilësuar Zadeja i madh,”do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt”.

Historia e Luleborë”

Simon Gjoni, kompozitori i ri pas viteve të çlirimit, jepte mesim në shkollën e mesme të qytetit. Plot të rinj e të reja i dëgjonin me vëmendje ligjëratat e tij për krijuesit e mëdhenj të muzikës botërore.

Ne kishim pak vepra të muzikes së kultivuar, edhe ato pak të njohura. Por kishim një pasuri të madhe të krijimtarisë popullore dhe Simoni fliste shpesh për këto vlera të çmuara…

Një ditë dimri. Dëbora e bardhë kishte mbuluar të gjithë qytetin dhe malet përreth. Ai po rrinte në sallën e mësuesve, sepse atë orë nuk kishte mësim. Po kundronte nga dritarja gjimnazistët që po luanin me topa bore.

Në mes tyre edhe “ajo”, lulja e bukur. I lindi aty për aty mendimi dhe dëshira që të shkonte edhe ai mes tyre, por nuk duhej. Ai ishte mësuesi i tyre.

Sytë i mbante gjithnjë tek njera, tek vajza e gjallë, e shkathët, me sytë e kaltër si deti i thellë, me ato flokët e gjata e të mbledhura në një gërshet të trashë, me ato pantallonat, që e para ndër shoqet i kishte veshur e që ia shtonin hijeshinë e trupit, veçanërisht kur lidhte atë shallin e bukur mbi kokë.

Ishte me të vërtetë një lule e këndshme në mes lulesh tjera… Gjithë qenia e saj iu shndërrua në formën e një “lulebore”, bile edhe topat e dëborës që ajo ia drejtonte shokëve e shoqeve, i dukeshin si lulebore…

Dhe u detyrua të priste jo vetëm shkrirjen e dëborës e ikjen e dimrit, por edhe mbarimin e shkollës e marrjen e maturës. Por gjithë asaj kohe, mendjen e kishte vetem tek ajo, tek “Lulebora”.

– Zef, ti e di, une dua një vajzë, – i tha një ditë Simoni poetit Zef Pali, sapo doli nga shkolla. Zefi e njihte mirë dhe ia dinte ndjenjat e dashurisë për maturanten e gjimnazit. Atë ditë ndenjën shumë kohë bashkë. Biseduan gjerë e gjatë. Mbas disa ditësh, Zefi i dha një tekst. Simoni e mori dhe, duke e mbajtur në duart që i dridheshin, plot emocion i tha:

– Bukur, shumë bukur, ashtu siç kam dashur vetë…

Shkoi menjëherë në shtëpi, nuk ishte i qetë. Sillej nepër dhomë e nuk dinte ç’të bënte. Në kokë i vlonin motive të ndryshme melodish. E lexoi tekstin disa herë, deri sa e mësoi përmendsh. E pastaj:

“Tuj kërkue n`ar e n`kodër

Tuj prek lulet t`gjith me dor`

Veç n`nji kopsht të vogël n`Shkodër

Ty të gjeta lulebore….”

Shumë entuziast, vazhdoi:

“Je e vogël, por je e plotë

Ty t`kërkoj unë tash sa mot

Tash sa mot un`ty t`kërkoj

N`gëzim me ty jetën ta shkoj.

Eja, eja lulebor`

Unë me ty do thur kunor`…”

Dhe kënga “Lule borë” mori dhenë. Ajo u bë si të thuash simbol i një drejtimi të ri, më bashkëkohor, që mori kënga jonë për vite të tëra. U përhap në të gjithë vendin. Studentët tanë që studionin jashtë shtetit e morën me vete. Dhe nuk lanë rast pa e kënduar. Në mbrëmjet e vallëzimit, në darka e në gosti. Kudo. Edhe në koncerte të ndryshme…

Një student shqiptar që mësonte në Moskë në fundin e viteve ’50-të, kujton:

“Isha ulur në stolin e lulishtes, në një nga parqet më të bukura të Moskës. Kishim humbur në ekstazë dhe na dukej se asgjë tjetër nuk ekzistonte përveç ne të dyve. Nata ishte e qetë dhe plot yje. Ishte tamam ashtu siç përshkruhet nata në këngën e bukur ruse “Pod moskovnie vjecera”. Larg, shumë larg, dukej se dëgjohej një melodi, e cila sa vinte e bëhej më e njohur. Ngrita kokën, sepse m´u duk e afërt ajo melodi ende e papërcaktuar, të cilën largësia e sillte disi të paqartë. Por nuk kaluan as pesë sekonda dhe e kuptova menjëherë. M´u rrëngjeth krejt trupi. Zërat melodioze sa vinin e bëheshin më të dëgjueshëm e më të ngrohtë, njëkohësisht, për veshin e zemrën time tepër të ndjeshme në ato çaste përhumbjeje. Ishte kënga “Lule borë” që po këndohej në shqip. U ngrita për të pasur më pranë atë grup që po e këndonte. Ato po afroheshin drejt nesh, ashtu, në mënyrë të pavetëdishme. Edhe unë eca drejt tyre, pa i thënë asnjë fjalë Ljubes që kisha pranë. Eca drejt tyre dhe vura re se një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës, po e këndonin në gjuhën time. E ndjeva veten krenar si asnjëherë në jetën time dhe u bashkova me ta, duke kënduar ‘Eja, eja, lule borë, se me ty do t´thur kunor…’ ”

Kjo ishte historia e njërës prej këngëve që ka vendosur autori në libër, e asaj që quhet himni i Shkodrës, “LULEBORËS”.

albert vataj simon gjoni

EMISIONET