“Shpella e Ciklopit” mbulohet me dhe/ E banuar deri në Neolitin e ri, bllokohet me punime për ndërtime private
Shpella e Ciklopit e ndodhur në himarë e cila ka qenë e banuar deri në periudhën e neolitit të ri, po bllokohet me dhera prej punimeve private. Banorët e himarës ngrenë alarmin për monumentin që bart vlera historike e kulturore për vendin. Po ashtu ajo është e njohur dhe në mitologji për përleshjen e Odisesë
Shpella e spilesë në Himarë, monumenti i mbrojtur nga shteti, me rëndësi jetike për historinë e qytetit, tashmë po mbulohet me dhe.
Gërmimet e para në të kanë nisur në vitin 1939, ndërsa në 1963-in është shpallur monument kulture, pasi u konstatua se ka qenë e banuar deri në kohën e Neolitit të ri.
Banorët e Himarës janë ata të cilët ngrenë shqetësimin. Sipas tyre hedhja e dheut në të dhe betonizimi është një skandal.
“Kryetarët e bashkisë e kanë zaptuar: njëri ka zaptuar këtë, tjetri ka zënë shpellën tjetër dhe ka hedhur beton atje. Dhe këta të dy e kanë bllokuar shpellën. Kjo është shpella homerike. Kjo është monument kulture që mbrohet nga shteti”, shprehet banori.
Ata akuzojnë pushtetin lokal të Himarës, që sipas tyre për interesa personale të disa shtetasve po mbulon shpellën duke bërë që të humbasë rëndësia dhe vlera e saj historike
“Këtu gabimin më të madh e ka bashkia e Himarës. Shikoni çfarë ka bërë ajo?! Në behar e jep këtë për parkim, në vend që ta përdorë për vizitorët që të vijnë dhe të mësojnë historinë e Himarës, por e bën për parkim”, thekson banori.
Ata kërkojnë më tepër vëmendje për shpellën e njohur ndryshe si e Cikllopit nga mitologjia.
"Ne, a ka mundësi t’japim jetë kësaj. Sepse nuk ka fëmijë në këtë botë që nuk ka dëgjuar historinë e Ciklopit. Nuk mbulohet historia dhe moslejimi i Homerit, mosnjohja e Odisesë të çon në këto rezultate”, thotë një tjetër banor.
Në mitologji thuhet se në rrugën në kthim të Odisesë për në Itakë ai është ndalur në fshatrat e Vlorës dhe pikërisht në Himarë në shpellën e spilesë ku është zhvilluar edhe skena e ndeshjes me Ciklopin.