Një tufë flokësh që sfidon shekujt, një dashuri e zjarrtë dhe e ndaluar mes Pietro Bembo dhe Lucrezia Borgia

Në një qoshe të qetë të Pinacoteca Ambrosiana-s në Milano, mes dritës së zbehtë që shtrihet përmes xhamave të trashë, gjendet një vitrinë aq e vogël sa mund ta shpërfillje lehtësisht. Brenda saj, një tufë fijesh të holla të verdha, të mbledhura në një lak delikat, shkëlqejnë butë nën reflektorin muzeal. Në pamje të parë nuk është gjë tjetër veçse një relike e zakonshme, një copë e çuditshme e së shkuarës. Por sapo afroheni e vështroni me kujdes, e kuptoni se nuk keni para syve një objekt, keni një histori, një përjetim, një jetë të ndërprerë, një dashuri që s’u konsumua kurrë dhe që pikërisht për këtë arsye është e përjetshme.
Në atë tufë flokësh biondë ruhet një botë e tërë, një botë që ndërthur humanizmin, artin, dëshirën, shkrimin, sakrificën, fatin dhe, mbi të gjitha, një dashuri të pamundur, që gjeti strehë vetëm në letra.
Për t’i dhënë zë këtij thesari të vogël, duhet të kthehemi pas, në Ferrarën e vitit 1502. Oborri dukal, i gjallë me poetë të rinj, humanistë në ngjitje dhe mendje të zjarrta, ishte një skenë e hapur ku talenti dhe ambicia kërkonin një vështrim të vetëm për t’u ndezur.
Pikërisht aty shfaqet një djalosh, ende i panjohur, i paduruar për t’i treguar botës se çfarë mbante brenda shpirtit të tij të rafinuar. Ky djalosh ishte Pietro Bembo, që më vonë historia do ta njihte si kardinal, gjuhëtar, teoricien i gjuhës italiane dhe një nga figurat më të rëndësishme të Humanizmit.
Ai hyn në sallë me një ëndërr të vetme: të vihet re.
Por ajo që ndodh është më e madhe. Ai përballet me një bukuri që e godet si stuhi, Lucrezia Borgia, dukeshë e Ferrarës, një figurë e cila lëviz mes historisë dhe legjendës, mes akuzave dhe idealizimeve, mes hijes dhe dritës.
Flokët e saj biondë, të ndriçuar nga rrezet që depërtonin nga dritaret e pallatit, i rrëmbejnë shpirtin. E çfarë mund të bëjë një poet në çastin kur takon bukurinë? Ai bie në dashuri. Por dashuria e poetit nuk është ndjesi, është krijim, transformim, zjarr që ndryshon trajtat e veprave.
E magjepsur nga veprimi i tij i parë, Lucrezia pranon t’i afrohet këtij djaloshi të ndjeshëm dhe të talentuar. Nisin të shohin njëri-tjetrin, të flasin, të shkëmbejnë mendime. Dashuria e tyre është platonike, por e zjarrtë; është e fshehtë, por e qartë; është e pamundur, por e pandalshme.
Kështu nis, ndoshta, një nga marrëdhëniet më të jashtëzakonshme epistolare të shekullit të XVI.
Kur murtaja godet Ferrarën, Pietro ikën, por Lucrezia mbetet pranë popullit të saj. Distanca bëhet ura e tyre e re. Ata flasin vetëm me fjalë. Dhe ndonjëherë fjalët krijojnë intimitete që prania fizike nuk i arrin dot.
Në këto letra, Pietro i rrëfen fiksimin e tij më të thellë, flokët e saj, simbol i dritës, i zjarrmit, i identitetit të saj femëror dhe fisnikëror.
Dhe Lucrezia, në një gjest që tejkalon kohën dhe protokollet, i pret një tufë flokësh dhe ia dërgon, bashkë me një letër që sot s’është më, por fjalët e saj vazhdojnë të marrin frymë përmes asaj gërshete.
Nga ky çast, tufën e flokëve Pietro e ruan si një shenjë sakrale. Brenda një arkëze mbahen të gjitha letrat e saj. Asnjë tjetër thesar nuk kishte vlerë më të madhe se ky testament i një dashurie të pamundur.
Për gjashtëmbëdhjetë vite të tëra ata nuk u panë më, por vazhduan të shkruanin.
Më pas, Lucrezia vdes shumë e re, e mbyllur në tragjedi e dashuri të humbura.
Pietro ecën drejt karrierës kishtare, bëhet kardinal, njeri i shkencës dhe kulturës, por jo i harresës. Kjo tufë flokësh mbetet kujtesë e vetme e një çasti që nuk u përsërit kurrë, një jetë paralele që nuk u jetua, por u ndje.
Se si kjo tufë flokësh përfundoi në Pinacoteca Ambrosiana, nuk dihet me siguri. Ajo që dihet është se gërsheta ende duket sikur sapo është prerë, e gjallë, me shkëlqimin dhe freskinë e asaj dite të largët.
Dhe këtu historia merr frymë si mit, thuhet se në net të caktuara, nëse shikon përmes dritareve të Ambrosiana-s, mund të dallosh një dritë të zbehtë që pulson nga dhoma ku ruhet ajo tufë flokësh.
Dhe disa besojnë se është Lucrezia, që kthehet t’i lexojë letrat e Pietro-s, t’i krehë edhe një herë fijet e saj, t’i japë pak jetë dashurisë që nuk pati kohë të vdiste, sepse nuk pati kohë të jetonte.
Ajo zhduket në heshtje, por jo pa marrë me vete ngrohtësinë e një ndjenje që, e mbrojtur nga shekujt, është më e fortë se mosha, më e fortë se vdekja.
Në një muze ku derdhen epoka, ku ruhen dorëshkrime të Leonardo da Vincit dhe kryevepra të artit, një tufë flokësh mbetet ndoshta objekti më njerëzor, më intim, më prekës.
Sepse nuk flet për pushtet, as për famë, as për gjenialitet.
Flet për diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të lartë, për mënyrën se si një njeri mund të ndriçojë jetën e një tjetri; për dashurinë që nuk ka nevojë të realizohet për t’u përjetësuar; për kujtimet që kthehen në objekte, dhe objektet që kthehen në mite.
Dhe kështu, në atë vitrinë të vogël të Ambrosiana-s, nuk shohim vetëm flokët e Lucrezias. Shohim një histori që nuk mund të vdesë, sepse askush nuk pati guximin ta jetonte deri në fund, sic kjo dashuri arriti.
PERTEJ FLOKEVE TE FLORINJTE
Lucrezia Borgia (1480–1519) ishte një nga figurat më të diskutueshme të Rilindjes italiane, një emër i shndërruar në mit mes intrigave politike, skandaleve dhe legjendave të errëta. Ajo ishte vajza e Papa Aleksandrit VI (Rodrigo Borgia) dhe motra e Cezar Borgia-s, dhe për shumë kohë iu atribuua imazhi i një femme fatale të rrezikshme, shpesh i ngarkuar nga propaganda politike e armiqve të familjes së saj.
Në të vërtetë, pas gjithë mjegullës së portretizimeve, qëndron një grua e kulturuar, e arsimuar, me finesë diplomatike dhe autoritet të rrallë për kohën. E martuar disa herë si pjesë e aleancave strategjike të Borgias, ajo u bë dukeshë e Ferrarës, ku shndërroi oborrin në një qendër arti e letërsie dhe u vlerësua për inteligjencën, butësinë dhe aftësinë për administrim.
Historia e saj është përzierje e dritës dhe hijes: përfshirje në politika të mëdha, mite për helmime e intriga që shpesh s’kanë prova, dhe një jetë që, pavarësisht thashethemeve, përfundoi me një reputacion më të ndritur se i gjithë klani i saj. Lucrezia Borgia mbetet një figurë ku legjenda dhe realiteti ushqejnë njëra-tjetrën, duke e bërë atë një simbol të fuqisë femërore në një epokë që rrallë ia njihte gratë këtë rol.




