Letra e lamtumirës që Stefan Cvajg la para se të nisej në udhën pa kthim më 22 shkurt 1942

"Përshëndetje për të gjithë miqtë e mi! Le ta shohin akoma agimin pas natës së gjatë! Unë, tepër i paduruar, shkoj përpara tyre"

Letra e lamtumirës që Stefan Cvajg la para se të nisej në

“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës.

Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten.

Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë.

Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke.

Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”

Pas pesë vitesh ekzistence të shqetësuar në mërgim në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, shkrimtari Stefan Cvajg mori jetën më 23 shkurt 1942 në shtëpinë e tij në Petrópolis afër Rio de Zhaneiros, së bashku me gruan e tij Lotte, me të cilën ishte martuar në 1939.

Në ditët më parë, Cvajgu i kishte zgjidhur punët e tij, kishte dërguar disa dorëshkrime përfundimtare dhe kishte shkruar udhëzime në lidhje me pasurinë e tij.

Natën e 21 shkurtit, duke luajtur shah me botuesin e tij brazilian Abrahão Koogan në verandën e shtëpisë së tij, disa nga letrat e tij të lamtumirës ishin tashmë në rrugën e tyre për të afërmit dhe miqtë.

Në këto letra, Cvajgu shpjegoi vendimin e tij për të kryer vetëvrasje: të gjitha shpresat e tij për një fund të shpejtë të luftës ishin zhdukur, ai kishte filluar të ndihej i vjetër dhe kishte humbur shtëpinë e tij intelektuale në Evropë.

"Unë isha thjesht shumë i dobët për të mbajtur gjithë këto vuajtje”, i shkruan ai gruas së tij të parë Friderike , me të cilën qëndroi në kontakt të rregullt deri në fund.

Letra zyrtare e lamtumirës që Cvajgu la në tryezën e tij i drejtohej kryetarit të bashkisë së Petropolis.

Në të ai shprehte falënderimet e tij për mikpritjen e vendit që i kishte lëshuar një vizë të përhershme autorit të arratisur nga Salzburgu.

“Stefan Cvajg ishte një njeri pa zemërim”, tha miku dhe kolegu i tij Franz Werfel në eulogjinë e tij.

“Kjo është ajo që e bëri atë një nga të paktët pacifistë ende përreth. Për të lufta do të thoshte ferr në tokë...”

stefan cvajg albert vataj

EMISIONET