Gruaja që qëndisi në burg me flokët e saj, arti i jashtëzakonshëm i Annie Parker të aloolizuares që u dënua 400 herë

E pabesueshme, por e vërtetë: një grua e dënuar për dehje, e harruar nga shoqëria dhe e braktisur nga çdo formë ndihme institucionale, arriti të krijojë një nga dëshmitë më tronditëse të artit intim dhe pendestar të shekullit XIX. Annie Parker, e njohur në Deptford, qëndisi në copë liri duke përdorur flokët e saj, duke krijuar dekore të ndërlikuara që rrethonin citate biblike, vargje himnesh, shprehje përulësie dhe pendese.
Në vitin 1879, Annie Parker u ul në një qeli të lagësht dhe të ftohtë të burgut Maidstone në Kent. Ishte e arrestuar për dehje. Jo për herë të parë. Në fakt, nga 365 ditët e vitit të fundit, ajo kishte kaluar rreth 350 pas hekurave. Deri në vdekjen e saj, gjashtë vjet më vonë, ajo do të arrestohej më shumë se 400 herë, kryesisht për dehje dhe krime të lidhura me varësinë, varfërinë dhe dëshpërimin.
E lindur rreth vitit 1847, nga prindër të panjohur, Annie Parker deklaronte në një botim të Woolwich Gazette (27 janar 1872) se ishte pa baba dhe me një nënë “të keqe”. Jeta e saj u zhvillua midis burgjeve Maidstone dhe Bedford Gaol, shtëpive të punës dhe rrugëve të Deptford-it. Arrestimet e saj u shtuan ndjeshëm pas vitit 1871; deri në janar 1872, ajo kishte qenë në paraburgim 20 herë brenda 12 muajve.
Megjithëse e martuar, deri në vitin 1877 ajo rezulton pa shtëpi fikse. Një regjistër i shtëpive të punës në Greenwich e përshkruan si: pa punë, pa shtëpi, pa miq. Gazetat e kohës shpesh shkruanin se sapo lirohej nga burgu, ajo takonte njerëz që i ofronin alkool. Sjellja e saj herë pas here bëhej e dhunshme: thyerje xhamash, grabitje të vogla, tentativa vetëvrasjeje. Një prej këtyre rasteve e çoi në dënim me dy vjet punë të rëndë.
Edhe kur iu dha mundësia të emigronte në Amerikë si kusht lirimi, Annie Parker qëndroi atje vetëm një javë përpara se të kthehej në Angli.
Arti si pendesë, si lutje, si mbijetesë
Në jetë dhe në vdekje, Annie Parker u bë e njohur për qëndisjet e saj me flokë. Më 23 qershor 1882, Kentish Mercury kujtonte se Reverend J. W. Horsley kishte paraqitur “punime me grep të bëra me flokë nga Annie Parker”. Pas vdekjes së saj, The Illustrated Police News (29 gusht 1885) shkruante:

“Ajo kishte një kokë me flokë të harlisur dhe, në mëngjesin e vdekjes së saj, i paraqiti doktor Dixon-it një punë dantelle të thurur me fije floku…”
Annie Parker përdori qepje kryq, të realizuara kryesisht me flokët e saj ngjyrë kafe, të ndërthurura herë pas here me fije të kuqe, jeshile të çelur ose kafe. Nuk dihet se si ajo siguronte lirinë, gjilpërat apo grepët – një mister që vetëm sa e thellon përmasën simbolike të veprës së saj.
Punimet e saj më të hershme datojnë në vitin 1879, ndërsa më të vonat në vitin 1882. Sot, ato ruhen në Muzeun e Policisë së Qytetit të Londrës, Muzeun Kombëtar të Drejtësisë, si dhe në disa koleksione private. Të paktën gjashtë vepra të saj kanë mbijetuar: pesë mostra tekstile dhe një jastëk për gjilpëra.
Ajo qëndiste vargje fetare, veçanërisht himnet e Charlotte Elliott, si “My God, my Father, while I stray”, me vargje që shprehnin nënshtrim, dhimbje dhe dorëzim shpirtëror:
“Megjithëse rruga ime është e errët dhe e trishtuar shumë, më lër të jem e qetë dhe të mos murmurit…”

Zgjedhja e këtyre vargjeve sugjeron se qëndisja ishte për Annie Parker një akt shlyerjeje, lutjeje dhe pikëllimi, i kryer përmes një procesi të ngadaltë, të dhimbshëm: shkuljes së flokëve dhe shndërrimit të tyre në fjalë.
Ajo shpesh i përfundonte punimet me fraza si: “Shpërblimi yt është në parajsë” ose “Shtëpia jote është në qiell”. Feja ishte streha e saj e fundit – në qeli, në shtëpinë e punës dhe në rrugët ku ajo kaloi vitet e fundit të jetës.
Një jetë dhune, humbjeje dhe fëmijësh të vdekur
Një nga punimet më të hershme mban mbishkrimin:
“Ejani tek unë të gjithë ju që mundoheni dhe jeni të ngarkuar rëndë…”
dhe është dedikuar kujtimit të Thomas Parker, bashkëshortit të saj, i cili vdiq më 6 janar 1879. Dokumentet tregojnë se martesa e tyre ishte e dhunshme. Kentish Mercury (24 gusht 1872) përshkruan Thomas Parker si një burrë që kishte sulmuar Annie-n, duke i thyer dhëmbë dhe duke e lënë të gjakosur.
Një tjetër artikull zbulon se Annie kishte lindur katër fëmijë në burgun Maidstone, dhe se të gjithë kishin vdekur.

Miti, shtypi dhe gruaja e vërtetë
Në shtypin viktorian, Annie Parker u mitizua si “gruaja famëkeqe”, “alkoolike kronike”, një figurë groteske për konsum publik. Por pas këtyre titujve fshihej një realitet shumë më tragjik: një nënë e pikëlluar, një grua e dhunuar dhe një viktimë e një shoqërie që nuk kishte as mjetet, as vullnetin për ta ndihmuar.
Qëndisjet e saj me flokë na japin diçka që gazetat nuk mundën kurrë: zërin e saj të brendshëm. Aty shohim emocionet, përpjekjen për paqe, nevojën për falje dhe një shpresë të thyer se jeta përtej kësaj bote do të ishte më e drejtë se ajo mbi tokë.
Kur Annie Parker vdiq nga tuberkulozi në infermierinë e shtëpisë së punës në Greenwich, në vitin 1885, ajo u përkujtua për sjelljen e saj të jashtëzakonshme dhe edukimin e saj të habitshëm – një aludim se dikur mund të kishte pasur një jetë tjetër, përpara se varfëria, dhuna dhe varësia ta shkatërronin.
Qëndisja e Annie Parker nuk është thjesht art.
Është një akt dëshmie, pendese dhe rezistence trupore.
Një mënyrë për të mbetur njeri, edhe kur shoqëria të ka hequr çdo dinjitet.
Fotot:
Mostra e punimeve të flokëve të Annie Parker © Whitney Antiques
Fotografi nga Isabella Rosner, koleksion privat
Përgatiti: Albert Vataj





