Teatri i Operas dhe Baletit fillon rindërtimin në 2016
Viti 2016 do të jetë viti i projekteve të mëdha në fushën e kulturës. Ministrja,Mirela Kumbaro, gjatë një takimi me gazetarët bëri me dije se është gati strategjia për përmirësimin e teatrove në të gjitha rrethet e vendit në mënyrë që kultura të mos kufizohet vetëm brenda kryeqytetit.
Edhe pse e konsideroi të suksesshëm vitin 2015, sërish Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, pranoi se kultura në vend ka ende probleme të cilat kërkojnë më shumë punë vitin e ardhshëm.
Kumbaro: Kemi parashikuar për vitin 2016 të tjera aktivitete promovuese. Do të vazhdojmë me panairin e Lajpcigut. Sapo kemi firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me bashkinë e Torinos ku bëhet një ndër panairet më të rëndësishme të librit.
Vitin 2016, Ministrja Kumbaro e quajti viti i kantierëve të mëdha pasi ai përkon me nisjen e punimeve për restaurimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Operas dhe Baletit.
Kumbaro: Në 2016 do të kemi vitin e kantiereve të mëdha.Teatri i Operas dhe Baletit fillon rindërtimin në 2016, Teatri i ri tek ndërtesa e ish-institutit të hidrometrologjisë.
Ministrja e Kulturës theksoi se kultura nuk do të përqëndrohet vetëm në kryeqytet, ndaj dhe bëri me dije se vitin e ardhshëm do të nisë zbatimin e planit strategjik për përmirësimin e kushteve në teatrot e rretheve.
