Shqipëria dhe Greqia do të rifillojnë sërish negociatat për kufirin detar, teska pritet që shumë shpejt, Ministri i Jashtëm grek të vizitojë Tiranën.

Deklaratën e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis për zgjerim të Greqisë me 12 milje në detin Jon, kryeministri Edi Rama e cilësoi si diçka që nuk ka lidhje me Shqipërinë.

Lidhur me këtë çështje, Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se do të ketë sjellje në përputhje me kushtetutën nga ana e tij, dhe ftoi aktorët politik që të bëjnë kujdes me deklaratat, pasi mund të përdoren në dëm të vendit.

Ilir Meta: ‘’Për këtë çështje, mendoj se sjellja ime ka qenë dhe do jetë vetëm shtetërore, kushtetuese dhe e përgjegjshme. I ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm me sjelljen e tyre në publik, që edhe padashje mos të bëjnë deklarata të cilat mund të përdoren në dëm të Shqipërisë nga kushdo.’’

Deklaratën, kreu i shtetit e dha nga Vlora, pasi mori pjesë në Konferencën Shkencore me temë “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”.