Kromi u jep bukë, kromi u merr jetë/ Familjes Rushiti miniera i mori 3 anëtarë, gruaja e fëmijët jetimë të zhytur në borxhe
Tre persona nga e njëjta familje kanë gjetur vdekjen në minierën e kromit, ku punonin për të siguruar bukën e përditshme. I fundit që mbeti viktimë në kërkim të kromit është Rexhep Rushiti, i cili la pas 3 jetimë dhe gruan e papunë.
Kromi që u ka dhënë bukë, i ka marrë tre jetë familjes Rushiti në Bulqizë.
Rexhepi 33-vjeçar që humbi jetën në galeritë e Selishtës bashkë me Fatos Çeskun e inxhinierin Ismail Hoxha ishte i fundit, ndërsa vite më parë, edhe nëna e i vëllai kanë humbur jetën.
"Tre pjesëtarë të kësaj familje kanë vdekur prej kromit, vjehrra, kunati dhe burri."
33-vjecari la tre fëmijë jetimë dhe një barrë të madhe me borxhe gruas së papunë.
"Jemi borxh nëpër dyqane, kam gati 5 milion lekë borxh."
Ky është portofoli i të riut.
Aty u gjet vetëm libreza e energjisë elektrike, prej qershorit e papaguar.
"Babai i tre fëmijëve, portofoli i tij bosh. Libreza e dritave prej qershorit e papaguar."
Edhe të afërmit kërkojnë ndihmë që fëmijët jetimë të mos ndjejnë urinë e bukës e barrën e hallit që u ra.
"Nëna e vet nuk ka ushqim për ta se është e papunë."
Ndërkohë policia e Dibrës mësohet se ka dërguar në prokurori pa autor dosjen për tragjedinë në minierën e Selishtës.
