Kriza ekonomike, Xhepa: Kanë falimentuar 4000 biznese prej pandemisë, të ndërmerren mekanizma afatgjatë
Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa në një intervistë për Ora News ka treguar se që prej nisjes së pandemisë, në vendin tonë kanë falimentuar rreth 4 mijë biznese.
Xhepa ka shpjeguar se kjo është një shifër shumë më e lartë se sa falimentimet në një situatë normale, teksa rithekson faktin e ndërtimit të mekanizmave më afatgjatë.
Xhepa: Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë dhe me kalimin e kohës të ndërmarrim masa të tjera që janë më të kushtueshme se sa ato që mund të kishim ndërmarrë në rrethana më komode. Nëse deri më tani po falimentojnë 4 mijë biznese gjatë kësaj kohe, sipas statistikave, që është një shifër shumë më e lartë se sa falimentimet që ndodhin normalisht në një ekonomi tregu, sepse ky është sistemi ekonomik që ne kemi, do të thotë që ne duhet të mendojmë seriozisht për masat që duhet të marrim.
Krijimi i një biznesi të ri, është shumë më i kushtueshëm se sa mbështetja e bizneseve që nëse do të krijojnë mundësitë e duhura, mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Për shkak të situatës së krijuar. Kjo është arsyeja pse duhet të kishim menduar për mekanizma më afatgjatë.
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.
