Kreu i ILDKP-së, Komisioni i Ligjeve miraton dy kandidaturat

Kreu i ILDKP-së, Komisioni i Ligjeve miraton dy kandidaturat

Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot dy kandidaturat e dekretuara nga presidenti Nishani për kreun e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKP.

Komisioni ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës dy kandidatët për postin e kreut të ILDKP-së Shkëlqim Ganaj dhe Zana Xhuka.

Më herët, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj e cilësoi si të nxituar shqyrtimin e dy kandidaturavetë dekretuara nga presidenti Nishani.

“Mbledhja është e ngutur pasi duhet të shohim kriteret e kandidatëve.  Kjo tregon se do të kemi një vendimmarrje të paracaktuar të mazhorancës.  Kuvendi nuk duhet të nxitojë pasi nuk duhet të jetë një zgjedhje e motivuar politikisht” tha Xhafaj.

Ndërsa kandidatja për kryetaren e ILDKP-së, Zana Xhuka ka theksuar në seancën dëgjimore se nuk është anëtare e asnjë force politike  dhe se ka qëndruar në postin e zëvendësministres së Mbrojtjes falë CV-së së saj profesionale.

"Kam punuar në Ministrinë e Mbrojtjes edhe gjatë qeverisjes socialiste dhe në kryerjen e detyrës parësore është zbatimi i ligjit dhe respekti i dinjitetit pasuror të çdo individi" theksoi Xhuka.

Edhe kandidati tjetër për postin e kreut të ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj ka theksuar se nuk ka qene pjesë e asnjë partie politike dhe ka punuar në drejtësi prej shumë vitesh.

Ndërkohë, komisioni i ligjeve do të shqyrtojë të martën kërkesën e dorëzuar pak ditë më parë nga KQZ për rishpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit.

EMISIONET