Krasniqi para Hagës: Unë dhe populli im kemi përjetuar shumë padrejtësi, nuk kishim nevojë edhe për këtë

Krasniqi para Hagës: Unë dhe populli im kemi përjetuar shumë

Para pak minitash, ish kryeparlamentari dhe ish zëdhënësi i UÇK, Jakup Krasniqi doli para gjykatës në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krasniqi mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.

Ai se nuk ka qenë pjesë e "një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale", siç thuhet në aktakuzë, por "ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese", duke shtuar se "ndërmarrje e përbashkët kriminale" është "koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit".

Krasniqi, që ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ka lexuar aktakuzën ndaj tij dhe se e kupton atë.

"Mua më është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta mbaj këtë padrejtësi. Unë dhe populli im kanë mbajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi", tha Krasniqi para Dhomave të Specializuara.

Sekretarja e Gjykatës lexoi pikat e aktakuzës për të cilat pretendohet se Krasniqi i ka kryer, përkatësisht ai dyshohet për krime kundër njerëzimit: përndjekje dhe burgosje. Krasniqi po ashtu akuzohet për krime lufte si: ndalim arbitrat, akte të tjerat çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjykata pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se Krasniqi ka kryer këto krime.

Para Dhomave të Specializuara, të hënën, duke nisur nga ora 15:00 do të paraqitet edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nesër, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Për çfarë akuzohen?

Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje.

Më pastaj përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara e kanë konfirmuar aktakuzën më 26 tetor, por ajo është bërë publike më 5 nëntor.

I akuzuari i parë i Gjykatës Speciale ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai tashmë ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /REL

Rajoni Lajme Kosovë gjykata speciale jakup krasniqi akuzat hagë

EMISIONET