Kostumi i kryeministrit indian në ankand, gati të paguajnë mbi 225 mije dollarë
Ofertat për kostumin e shumë diskutuar të kryeministrit Indian, Narendra Modi, me emrin e tij të qepur me fije ari, të cilin e ka veshur në takimin me presidentin amerikan, Barack Obama, kanë arritur në një rekord të ri.
Disa emra të njohur në fushën e hotelerisë elitare kanë arritur të ofrojnë deri në 14,1 milionë rupi, ose mbi 225 mijë dollarë amerikanë për ta bërë të tyrin kostumin në fjalë.
I qepur me porosi, dhe i tallur nga kundërshtarët politikë të Modit, kostumi ka dalë në shitje në ankand në Indi për të grumbulluar para për një projekt për pastrimin e lumit Gangesh, të cilin vetë kryeministri e ka shumë për zemër.
Për këta ankand, që përfundon të premten, Modi dhuroi 450 sende të cilat i janë dhënë nga autoritete të ndryshme që kur u emërua në krye të ekzekutivit të vendit në maj 2014 pasi fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet parlamentare. Në dhuratat që ai ka marrë përfshihen vazo qeramike, tapetë dhe gurë të çmuar.
"Kemi ofruar 14,1 milionë rupi në emër të kompanisë së hoteleve Komal Kant Sharma. Edhe vetë kryeministri do të jetë këtu gjatë mbylljes së ankandit, pasi bëhet fjalë për një kauzë të drejtë," thotë drejtori i kompanisë, Çirag Mehta.
Kur Modi doli në publik me këtë kostum më 25 janar gjatë vizitës së presidentit Barack Obama në Indi, kundërshtimet qenë të shumta, për faktin se kostumi kishte kushtuar 1 milion rupi. Por edhe pse një e treat e personave në botë që janë në varfëri ekstreme jetojnë në indi, Modi nuk i ka kursyer shpenzimet për veshjet tradicionale që mban gjatë takimeve zyrtare, një vendim ky, sipas tij, për të promovuar kulturën dhe traditat e vendit nëpër botë.
