Kosovë nisin konsultat pas zgjedhjeve, Hoxhaj: Duam qëndrimet politike para se të vendosim

Kosovë nisin konsultat pas zgjedhjeve, Hoxhaj: Duam qëndrimet politike

Në Kosovë filluan të hënën konsultat për formimin e institucioneve të reja politike tani që KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e 14 shkurtit.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, dhe Albin Kurti si kryetar i partisë fituese, Vetëvendosja, takuan të parin kryedemokratin Enver Hoxhaj.

Osmani synon ta vazhdojë mandatin si presidente, ndërsa Kurti do kryeministrinë.

"Ne kemi kërkuar nga Kurti dhe Osmani qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm i vendit ka rol në përfaqësimin e politikës sonë dhe qeveria ka rol në formimin e politikës së jashtme," tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se u parashtroi kolegëve një listë me 10 pika nga të cilat varet qasja e PDK-së kundrejt qeverisë dhe presidentit të ardhshëm.

Dialogu me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi, Mini-Shengeni Ballkanik dhe distancimi nga dhuna politike, ishin ndër temat kryesore.

"Së pari meqë jemi në hollin e këtij Kuvendi, sa herë ka pas zgjedhje të Qeverisë apo të presidentit, institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është ushtruar dhunë ndaj tyre, në seancë duke hedhë gaz. Së fundi kur e kemi zgjedh presidentin është goditë edhe ndërtesa e Kuvendit, ne e kemi pyetur z. Kurtin a distancohet nga një dhunë e tillë politike," tha ai.

Në ambientet e Kuvendit mbërriti pas mesditës Ramush Haradinaj nga AAK-ja.

Edhe Haradinaj dëshiron postin e presidentit ndërsa ka ofruar mandatet e veta për qeverinë.

Ndërkohë, nga LDK-ja, kryetari i sapozgjedhur, Lumir Abdixhiku, tha se ka propozuar të premten si ditë për mbajtjen e takimit konsultues me Kurtin dhe presidenten Osmani.

Kosove Rajoni Lajme Vjosa Osmani Kosovë zgjedhje bisedimet politike

EMISIONET