Kosovë, banorët e Orçushës mbyllin kufirin me Shqipërinë: Po na vjedhin, policitë e dy vendeve të na ndihmojnë
Kosovë - Banorët e fshatit Orçushë të komunës Dragash të Kosovës - komunë kufitare me atë të Zapodit në Kukës - janë hedhur në protestë për shkak të grabitjeve që po iu bëhen atyre nga persona të paidentifikuar.
Banorët, të cilët janë pakicë boshnjake, thonë se cdo ditë u duhet të qëndrojnë roje pasi elementë kriminalë kryejnë vjedhje, situatë e cila po përsëritet vit pas viti.
Të irrituar ndaj heshtjes së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, ata për tre ditë me radhë mbyllën edhe pikën kufitare që e lidh zonën me Shqipërinë, Orgjost-Orçushë, derisa në fshat shkuan edhe drejtues të policisë kufitare të Kukësit.
“Problemet janë të përbashkëta, - u shprehën ata. - Ndaj, ne kërkojmë ndërhyrjen e institucioneve për zbatimin e ligjeve, në mënyrë që të zgjidhim problemet. Ne si fshat kërkojmë që organet që mbrojnë të drejtat e pakicave etnike, të dëgjojnë zërin tonë. Duhet që institucionet e Shqipërisë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, për të eleminuar fenomenin.
Një tjetër banor tha: “Ne jemi autoktonë këtu brez pas brezi dhe kemi krijuar jetën tonë këtu. Ne duam t'i japim fund kësaj situate që përsëritet vit pas viti.”
“Nuk duam para, nuk duam asnjë gjë,- shtoi një banor tjetër. – Por kemi frikë të qëndrojmë në shtëpi. Duhet të mbyllemi me çelës. Nuk kam cfarë t'iu them, le të flasë i gjithë fshati se çfarë na ka ndodhur ne. Na kanë kërcënuar me thika dhe kërkoj nga ju që të na ndihmoni pasi ne kemi rënë pre e grabitësve.
“Ne kemi vite që kemi këto probleme dhe askush nuk na ka ndihmuar, - nënvizoi një tjetër banor i zonës. – Të gjithë kemi këtë problem dhe nuk bëjmë në fshat asnjë lloj feste, pasi jemi të terrorizuar. Ne kërkojmë siguri dhe ndërhyrjen e policisë që të zgjidhen problemet.
Këtë kërkesë i'ua bëjmë institucioneve. I gjithë fshati është dëshmitar i asaj që ndodh këtu. Ne duam që asnjë person i inkriminuar të mos vijë në fshat. Nuk duam më që incidente të tilla të ndodhin.”
Ndërsa N/Drejtori i policisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës, gjatë takimit me banorët, tha se institucionet e dy vendeve, do të impenjohen maksimalisht për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës.
Në fshatin Orçushë, që është ngjitur me fshatin Orgjost të komunës Zapod, gjatë sezonit të verës jetojnë më shumë se 300 banorë, të cilët në këtë stinë kthehen nga emigracioni për të qëndruar aty për disa muaj me radhë.
Oranews.tv
