Në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin Avdullah Hoti,  I dërguari I posaçëm I presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi , Richard Grenell është shprehur se, marrëveshja e firmosur në Washington sjell investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.

Richard Grenell “Përshëndetje nga presidenti Trump. Jam i bashkangjitur nga shumë kolegë. E shikoni këtë prapa meje, ai është njeriu i parave, ai ka sjellë një çek të madh. Në fakt ende jo, por do ta sjellë. Shumë premtime janë dhënë në të kaluarën dhe ajo se çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është që të zbatojmë në përpikëmëri zotimet. Duam ti tregojmë popullit të Kosovës se do të punojmë për zhvillimin ekonomik. Do ta falënderoj kryeministrin dhe presidentin Thaçi për punën e tij të palodhshme në fillim të procesit.

“Do t’i sjellim këto projekte në jetë. Energji e vërtetë që do të sjellë kjo marrëveshje do të ndërrojë dinamikën. Presidenti Trump më tha që të bëj një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që do të sillte dinamizëm ekonomik. Simbolizmi nuk e paguan qiranë. Duhet që të sjellim zhvillim. Muajin tjetër do të vijë një ekip tjetër në Kosovë, që do të kryej fizibilitetin në liqenin e Ujmanit”.

Sipas ambasadorit Grenell, palët nuk do të ishin në këtë pikë pa presidentin Donald Trump.

Richard Grenell “Nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump. Ai më tha: të bëjmë diçka ndryshe për njerëzit. Pasi u nënshkrua marrëveshja ai më tha, “tani shko zbatoje”. Ai i shtyn gjithmonë përpara proceset”.

I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi e ka quajtur vizitën e tij të sotme në Kosovë si provë e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar në Washington më 4 shtator.