Kodi zgjedhor, zhgënjimi i Ambasadës amerikane: Për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar

Kodi zgjedhor, zhgënjimi i Ambasadës amerikane: Për të

Ambasada amerikane në vendin tonë nuk e ka fshehur zhgënjimin nga mazhoranca qeverisëse, e cila nuk iu përmbajt angazhimit të marrëveshjes së 5 qershorit për të kaluar me konsensusin e opozitës jashtëparlamentare ndryshimet në kodin zgjedhore.

Në një deklaratë për mediat, Ambasada amerikane thotë se partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik.

Ambasada nënvizon se ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, "është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik".

Duke kujtuar se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mban kryesimin e OSBE, Ambasada amerikan deklaron se është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, jo vetëm e atyre në pushtet, të kërkojnë nga vetja një standard më të lartë dhe të sigurojnë lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA në Tiranë

Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar.

Kodi i ri zgjedhor kaloi me 97 vota

Partia Socialiste arriti të mbledhë votat e nevojshme mes opozitës së përçarë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në Parlament. Në mes të pakicës, disa deputetë dhanë votën pa u ndjerë për mazhorancën, ndërsa disa të tjerë kërkuan me këmbëngulje që të ndërpritej seanca plenare.

Për liderin e mazhorancës Edi Rama, 97 votat janë të mjaftueshme për të hequr koalicionet parazgjedhore dhe për t’i dhënë të drejtë kryetarit që të zgjedhë ekipin e tij me të cilin të shkojë në parlament.

Në retorikën politike, Rama e pranoi se nuk ka hapur listat 100%, pasi sipas tij kjo formulë do të mbushte Parlamentin me kriminelë.

Pasi u sigurua që Kodi kishte marrë votat e mjaftueshme, me retorikën e tij politike, Kryeministri i trajtoi deputetët e pakicës si produkt i fatit.

Në këtë seancë plenare, mazhoranca pasi e shkeli marrëveshjen e 5 qershorit me ndryshimet në Kod, votoi një pikë të dakordësuar me PD në Këshillin Politik.

Ilirjan Celibashi me 106 vota pro u zgjodh komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, ndërsa përfaqësuesja e demokratëve Lealba Pelingu mori 105 vota të Parlamentit për të marrë detyrën e nënkomisioneres.

5 anëtarët e Komisionit të Rregullatorit morën 107 vota, ndërsa lista me 5 anëtarët e KAS arriti të mbledhë 105 vota pro.

Ashtu siç pritej, Edi Rama përdori skualifikimin e Ilir Rusmalit për të ironizuar PD-në.

Vendi Lajme Politikë Lajmi i fundit

EMISIONET