Kuvendi përballë zërit qytetar! Këlliçi zbulon lëvizjen e fundit: Depozituam mocionin, ja 4 ligjet që kërkojmë të shfuqizohen urgjentisht

Në ditën e 26-të të protestave masive që po zhvillohen para zyrës së kryeministrit, opozita ka marrë hapa konkretë institucionalë duke depozituar katër kërkesa urgjente dhe një mocion për debat në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ky veprim vjen si një përgjigje ndaj shqetësimeve të qindra mijëra qytetarëve, duke synuar kalimin e zërit të tyre nga sheshi në një axhendë të mirëfilltë parlamentare.
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte deputeti i PD-së Belind Këlliçi, i cili u shpreh se kërkesat e depozituara fokusohen në disa nga çështjet më të nxehta të momentit, të cilat nga përfaqësuesit e opozitës cilësohen si nisma thellësisht korruptive të mazhorancës. Ndër pikat kryesore kërkohet shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë, si dhe rishikimi i ligjit për amendimin e zonave të mbrojtura—një lëvizje që akuzohet se i hap rrugë shkatërrimit dhe ndërtimeve abuzive dhe që tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, në fokus të debatit kërkohet të rikthehet ligji për trashëgiminë kulturore dhe e ashtuquajtura "paketa e maleve", nisma këto që etiketohen si thellësisht personale dhe politike të kryeministrit Edi Rama.
" Nuk do të thoja që është një shkëputje e institucioneve apo e politikës, por është e Partisë Socialiste, sepse janë ata që e kanë vendosur këtë rend dite në axhendë.
Ne, duke dëgjuar kërkesat e protestuesve që tashmë kanë hyrë në ditën e 26, duke reflektuar shqetësimet e qytetarëve, pjesës dërrmuese të shoqërisë shqiptare që mbështesin protestën, por dhe të atyre qindra mijëra protestuesve që kanë mbi tre javë që protestojnë çdo ditë para zyrës së kryeministrit, dy javë më parë kemi depozituar në kuvend katër kërkesa, pra edhe mocionin për debat, që janë në sintoni të plotë me kërkesat e protestuesve dhe kjo nuk na bën zëdhënës të protestës, por sigurisht jetojmë me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.
Mendojmë që në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në sallën e parlamentit do të duhet të debatohet, do të duhet të diskutohet për çështje që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e ditës, me problemet e qytetarëve, me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe sigurisht çështje që ne i kemi veçuar në fakt dhe i kemi dhe kauzat tona, siç është çështja për shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, apo ligji për amendimin e zonave të mbrojtura, që hapi rrugën për shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe ndërtimin në këto zona, të cilin prej dy vitesh e kemi debatuar fort, e kemi çuar dhe në gjykatë kushtetuese, apo ligjin për trashëgiminë kulturore, apo paketën e maleve që e kemi votuar kundër dhe kemi debatuar me arsyetimin tonë dhe me logjikën tonë dhe në sallën e kuvendit, se përse kjo është një nismë kryesisht personale dhe korruptive dhe politike e Edi Ramës. Këto katër qëndrime shoqëruar këtu me të pestën që është largimi i qeverisë Rama.
Këto katër kërkesa ne i kemi depozituar që para dy javësh në kuvend për të bërë të mundur që të debatojmë në sallën e Kuvendit", u shpreh Këlliçi.
Ndiqni intervisten e plote:

