Ju flet Moska - Një grusht shteti, i quajtur vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
Një grusht shteti, i quajtur vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte tema e “Ju flet Moska” nga Kastriot Myftaraj në RTV Ora.
Myftaraj: Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ashtu si çdo gjykatë kushtetuese në botë ka një përgjegjësi të madhe, sepse vendimet e saj kanë vlerën e ligjit. Gjykata Kushtetuese duhet të ketë vendime të një standardi, dhe jo që për dy çështje të ngjashme të jetë i njëjti vendim, i njëjti qëndrim. Duhet të ketë kohezion në zbatimin e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës para disa ditësh mori vendimin që qeveria Hoti është në pozita antikushtetuese, pasi për të ka votuar një deputet që s’duhej të votonte, s’duhej ta kishte fare mandatin e deputetit. Por megjithëatë Gjykata Kushtetuese është shprehur se qeveria duhet të vazhdojë të rrijë si një qeveri kujdestare, derisa të bëhen zgjedhjet.
Në vitin 2011 gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që zgjedhja e presidentit Pacolli ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kjo zgjedhje ishte si të mos kishte ndodhur. Pacolli duhej të largohej nga detyra dhe ai e la drejtpërdrejt atë. Detyrën e mori kryetari i Parlamentit, si ushtrues i përkohshëm i kësaj detyre. I njëjti institucion, e njëjta Gjykatë Kushtetuese ka dhënë tjetër vendim në rastin Pacolli, tjetër vendim në rastin Hoti. Gjykata justifikohet sot me rastin e Hotit, duke thënë që vendimet e saj nuk kanë fuqi prapavepruese, zgjedhja e kryeministrit është antikushtetues, por kjo pasojë nuk mund të zhbëhet, por duhet të kalojë vendin në zgjedhje të reja.
