Iu dogjën banesat me 11 korrik, 5 familje të pastreha kërcënojnë me vetëflijim
Rreth 30 persona, anëtarë të 5 familjeve banesat e të cilëve u dogjën nga zjarri në muajin korrik, kanë mbetur të pastrehë. Banorët të cilët me ditë strehohen tek të afërmit, paralajmërojnë vetflijim në rast se Bashkia e Durrësit nuk i ndihmon duke i strehuar nëpër banesa sociale.
Pesë familje, banesat e të cilëve u shkrumbuan pas një zjarri masiv në korrik të këtij viti, kanë mbetur të pastreha.
Anëtarët e këtyre familjeve thonë se jetojnë në kushte shumë të vështira duke u strehuar me ditë tek të afërm, në pamundësi për të paguar një banesë me qira.
Banorja: Te njerëzit tanë po rrimë, na mbajnë një natë apo dy netë dhe na përzënë se janë kallaballëk, vetë e gjashta jemi ne. U dogjëm, as na kanë dhënë dëmshpërblim, ne duam shtëpi të fusim kokën. Shkojmë në Bashki për të takuar kryetarin nuk e takojmë dot.
Banorja: Duam të na strehojnë, të na fusin nëpër pallate se jemi me fëmijë.Është ftohtë, po vjen dimër.
Banorja: Kam tre kalamaj, i kam burra. Nuk kam ku të fle. Shtëpia është djegur.Kemi shkuar në Bashki na kanë përcjellë kështu, në 2016, nuk fle dot, jam bërë me azëm.
Banorët kërcënojnë me vetëflijim nëse institucionet nuk i ndihmojnë, duke i strehuar tek banesat sociale të Bashkisë.
Banorja: Çfarë të bëj, kam kaluar në depresion. 1, 2 do var veten se nuk kam ku të jetoj. Ku të jetoj? Kam ardhur njëherë këtu, kam qarë, kam qarë, gjeta një batanije këtu dhe desha të var veten. U mërzita, mu këtu më ka ardhur shpirti, nuk kam çfarë të bëj më. Të mban një javë, dy javë motra, një javë tjetri, një javë tjetri, nuk të mban njeri më.
Më 11 korrik zjarri shkrumboi disa banesa private në zonën pranë Ujësjellësit të Durrësit, bashkë me një fabrikë të përpunimit të drurit.
/Oranews.tv/
