I hiqet ndihma ekonomike, familja me 7 anëtarë pa asnjë të ardhur
Një familje prej 7 anëtarësh në rrethin e Shkodrës jeton në varfëri të plotë. Kryefamiljari shpjegon se nuk ka pranuar të marrë tokë me ligjin 7501 pasi pretendonte prona të paraardhësve, për të cilat nuk kishte asnjë dokument që të vërtetonte ekzistencën. Në këtë gjendje, nuk përfitoi asnjë metër tokë, por mungesa e tapisë, në bazë të një VKM-je e ka nxjerrë jashtë skemës së ndihmës ekonomike.
Nuk ka pranuar të marrë tokë me ligjin 7501, por mungesa e tapisë e ka penalizuar familjen e Ndue Sufajt, duke mos përfituar përkrahje sociale nga shteti.
Edhe pse në kushte të vështira ekonomike, 7 anëtarët e kësaj familje prej muajit qershor nuk përfitojnë asnjë qindarkë pasi në bazë të një VKM-je duhet patjetër dokumenti i çertifikatës së tokës, por kryefamiljari thotë se nuk ka asnjë meter tokë në pronësi, madje as shtëpia nuk është e tyre, por e të afërmve.
Ndue Sufaj: Më trajtojnë sikur të isha ndonjë njeri penal dhe jo një njeri që kërkoj të drejtën time, duke më shtyrë dhe ofenduar. Unë nuk kam tokë as këtu as aty ku jetoja më përpara. Me listë driatat, me listë ushqimet...unë nuk e di sesi mund të jetojmë kështu. Pa tokë dhe pa të ardhura.
Sufaj thotë se për shkak të varfërisë, disa here ka qënë në prag të vetvrasjes, pasi e ka të pamundur të plotësojë nevojat e fëmijëve.
Ndue Sufaj: Kam aq shumë probleme sa vetëm Zoti më ka ndaluar të bëj vetëvrasje . Disa herë jam matur të vras veten për problemet që kam sepse fëmiëjt e mi më kërkojnë të hanë, kërkojnë fletore e libra, por i kam thënë se nuk kam mundësi ti blej. Nuk kam ku ti marr lekët.
Teksa listat e borxheve të kësaj familje vjen duke u shtuar ditë pas dite, në drejtorinë rajonale të ndihmës ekonomike në Shkodër, sqarojnë se është një prej kritereve që të dorëzohet kopja e tapisë së tokës që familja Sufaj të trajtohet me ndihmë ekonomike.
/Oranews.tv/
