Hiqen nga skema e ndihmës ekonomike 800 familje dhe gati 10.000 persona me aftësi të kufizuara
Mbi 800 familje do të hiqen nga skema e ndihmës ekonomike për vitin 2016.
Lajmi u bë me dije nga Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes në Komisionin e Punës.
Shkurtime sipas Klosit, do të ketë edhe në trajtimin ekonomik të personave me aftësi të kufizuara ku 9 mijë prej tyre pritet të dalin nga skema.
“Në 2016 do ketë ulje të numrit të abuzuesve të ndihmës ekonomike. Fondi për ndihmën ekonomike dhe PAK është 21 mld lekë,” tha Klosi teksa vlerësoi se buxheti i MMSR për vitin 2016 është 5.8 mld lekë më shumë sesa për këtë vit.
Deklarata e ministrit hasi në kundërshtinë e opozitës.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi i kërkoi Klosit të shpjegojë se cila është formula e largimeve nga skemat e trajtimit social.
“Keni ulur fondet duke hedhur familjet në rrugë, ky është krim,” tha Vokshi.
Mësohet se shkurtimi është bërë si pasojë e largimit nga skema e familjeve që përfitonin në mënyrë abuzive, rezultat i kontrolleve të realizuara nga MMSR.
