Has: I shkojnë t'i grabisin dyqanin, pronari qëllon me armë gjahu adoleshentët, 2 i plagos
Katër adoleshentë të moshës vetëm 15 vjeçare janë arrestuar si autorë të një vjedhjeje të ndodhur në fshatin Helshan të Hasit si dhe të një vjedhjeje tjetër të mbetur në tentativë më 1 shkurt.
Pikërisht tentative e fundit për të grabitur ka përfunduar keq për adoleshentët, të cilët janë konstatuar nga pronari i dyqanit. Ky i fundit i ka qëlluar me armë gjahu, duke plagosur dy prej tyre.
Të arrestuar janë adoleshentët e identifikuar me inicialet R. M., L. M., O. V. dhe E. V., të moshës 15 vjeç, banues në fshatin Peraj, Helshan dhe Krumë.
“Gjatë tentativës për të vjedhur në këtë dyqan, autorët janë konstatuar nga pronari, shtetasi S. Sh., i cili ka qëlluar me armë gjahu, duke plagosur shtetasit L. M. dhe R. M., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën” informon policia e Kukësit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të dy vjedhjeve të ndodhura në fshatin Helshan, konkretisht:
Më datë 30.01.2021, në fshatin Helshan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit U. I.
Më datë 01.02.2021, në fshatin Helshan, në bashkëpunim me njeri tjetrin, kanë tentuar të vjedhin me thyerje dyqanin e shtetasit S. Sh.
Arrestohet pronari i dyqanit
Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi Sadri Shatri, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje".
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi I. M., për veprën penale "Mbajtja pa leje e municionit luftarak", pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe u sekuestrua një karikator me 27 fishekë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
Automjeti i markës "Volksëagen" i përdorur nga autorët, 4 aparate celulare, një armë gjahu çifte në pronësi të shtetasi S. Sh., si dhe një karikator me 27 fishekë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Operacioni u kodua "Helshani".
