Greqia kthen autobusët shqiptarë, udhëtarët të infektuar me Covid edhe pse kishin testet negative
Certifikatat e lëshuara nga Shqipëria për imunitetin ndaj Covidit-19 vazhdon të trajtohen me dyshim nga autoritetet greke. Athina njoftoi se ka kthyer pas rreth 50 udhëtarë shqiptarë pasi disa prej tyre rezultonin të infektuar me koronavirus, ndryshe nga ç'tregonte rezultati i tamponit.
Greqia ka kthyer pas dy autobusë nga Shqipëria, pasi disa udhëtarë kanë rezultuar pozitivë në testin e kovidit-19.
Policia kufitare në Kakavijë njoftoi se rreth 50 qytetarë shqiptarë dhe punëtorë të tjerë sezonalë po tentonin të hynin në territorin grek me qëllime pune në sektorin bujqësor të vendit.
Edhe pse ishin të pajisur me një certifikatë që provonte rezultatin negativ të tamponit ndaj koronavirusit, testet e shpejta molekulare të kryera në terren zbuluan se ata rezultonin bartës të infeksionit.
Dëshmitë e tyre imunitare mësohet se ishin lëshuar nga laboratorë të certifikuar në Shqipëri, por autoritetet greke edhe më herët kanë ngritur dyshimet për vërtetësinë e tyre.
Ditët e fundit janë shtuar numrat e të infektuarve që hyjnë në Greqi nga pikat e ndryshme kufitare.
Athina ka bllokuar kufirin me Shqipërinë nga Kapshtica duke mundësuar vetëm lëvizjen nëpërmjet Kakavijës për këmbësorët dhe automjetet nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23.
Vetëkarantimi 7-ditor i personave është i detyrueshëm, përndryshe gjoba arrin në 5 mijë euro.
Vendimet e autoriteteve greke do të aplikohen të paktën deri në datën 4 dhjetor.
Të shtunën Greqia regjistroi bilancin ditor më të rëndë që nga fillimi i pandemisë.
108 persona nuk i mbijetuan dot sëmundjes infektive në 24 orët e kaluara dhe gati 900 qytetarë kanë humbur jetën brenda muajit, duke e çuar mbi 1,500 bilancin total të viktimave.
Në Greqi prej javësh qëndron në fuqi orari policor, por ekspertët po bëjnë thirrje që masat të shtrëngohen më shumë për të ndalur pasojat fatale të koronavirusit në popullsi.
