Gjiknuri: Opozita kërkon ti hedh hi syve publikut, Italia nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria
Opozita e bashkuar doli ditën e sotme në një deklaratë të përbashkët dhe foli në lidhje me draftin që do të votohet nesër në parlament.
Bylykbashi i është përgjigjur Ramës i cili ka thënë se koalicioni me listë të përbërë nuk ekziston askund dhe se ishte model shqiptar. Ish-deputeti është shprehur se ky model është edhe sot në Itali.
Në lidhje me këtë deklaratë të bërë nga Bylykbashi ka reaguar Damian Gjiknuri me anë të një statusi në "Facebook" ku shkruan "në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin".
Sipas Gjiknurit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut.
Ai gjithashtu shprehet se modeli italian është me dy dhoma e miks, mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve.
Gjiknuri: Tre muaj rresht, në çdo komunikim zyrtar, në çdo deklarim publik, në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin. Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë "zbuluar" modelin italian. A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura. Edhe diçka e fundit, për të mos i besdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona.
